U gjobit me 5 milionë lekë të vjetra, reagon Braimllari i LSI: Rama e Peleshi të tmerruar nga rritja jonë

Shqipëria

U gjobit me 5 milionë lekë të vjetra, reagon Braimllari i LSI: Rama e Peleshi të tmerruar nga rritja jonë

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 14:07
Endrit Braimllari

Sekretari i Përghithshëm i LSI, Endrit Braimllari ka reaguar pas lajmit të publikuar se është gjobitur me 5 milionë lekë për shkak se në takimin elektoral të zhvilluar në Maliq nuk respektoi masat anti Covid.

"Kryeministri Edi Rama është i tmerruar nga rritja e pandalshme e LSI në Qarkun e Korçës. Gjoba tregon tmerrin që Edi Rama ka ndaj LSI. Edi Rama, Niko Peleshi nuk mund të intimidojnë simpatizantët e LSI me ushtarin e tyre në drejtorinë e qarkut të Korçës, Ferdinand Mara. Ferdinand Mara është ushtar i Edi Ramës, Niko Peleshit dhe Rragamit të bëjë kujdes të respektojë ligjin dhe të merret me trafikantët dhe trafikun e drogës dhe jo të gjobisë qytetarët e ndershëm. Më 25 prill të rinjtë dhe të rejat e Korçës do të çmontojnë këtë treshe që ka marrë peng Korçën", shprehet Braimllari.

Në një reagim për median, Braimllari u shpreh se "së pari, unë jam njohur nga mediat për një gjobë që Policia e Qarkut të Korcës ka vënë në drejtimin tim dhe në drejtim të një subjekti ku ne kemi zhvilluar një aktivitet në Bashkinë e Maliqit, një aktivitet, i cili po të shikohet edhe nga fotot kanë qenë totalisht në respektim të masave anti-covid, pasi të gjithë personat kanë qenë me maska dhe tavolinat kanë qenë nga 10 persona dhe në distancë nga njëri-tjetri".

"Në hyrje të lokalit ka pasur të gjitha mjetet e duhura për të respektuar masat anti-covid. Po ju them me përgjegjësi të plotë që në të njëjtin lokal, apo në zonat përreth në Maliq janë bërë edhe aktivitete nga parti të tjera politike dhe nuk është marrë asnjë masë ndaj asnjërit prej tyre. Dhe sot po lexoj një lajm që Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë ka dërguar një njoftim për të gjithë mediat, me të madhe, se Endrit Braimllari është gjobitur nga Policia e Shtetit. E para, dua t’ju them që unë e kuptoj sikletin e Rilindjes në Qarkun e Korçës, pasi LSI në Qarkun e Korcës është në rritje të pandalshme. E kuptoj që rilindja në Korçë është në alarm. Pse është në alarm? Sepse të rinjtë dhe të rejat e Qarkut të Korçës, Maliqit, Kolonjës, Devollit, Pogradecit, Pustecit po përkrahin masivisht Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe të vetmen mënyrë që ka sot Edi Rama është të ushtrojë presion nëpërmjet lajmeve të tilla për të trembur simpatizantët e LSI-së. Por, e ka gabim sepse, anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së nuk tremben më nga një mostër politike si Edi Rama, sepse kjo tregon se Edi Ramës i ka ardhur fundi", theksoi Braimllari. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat