Tentuan të grabisin shtëpinë në Fier, arrestohet një nga autorët, ja çfarë gjeti policia gjatë kontrollit në makinë e banesë

Shqipëria

Tentuan të grabisin shtëpinë në Fier, arrestohet një nga autorët, ja çfarë gjeti policia gjatë kontrollit në makinë e banesë

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 20:40
Roskovec

Policia e Fierit ka vënë në pranga një prej autorëve të dyshuar të vjedhjes me armë të mbetur në tentativë mbrëmjen e djeshme në Roskovec.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin Elis Bushi, 26 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprat penale “Plagosje” dhe “Vjedhje me dhunë”.

“Si rezultat i rrethimit në një perimetër të gjerë të zonës dhe kontrollit përgjatë natës dhe paradites së sotme, shërbimet e Policisë kapën 26-vjeçarin me automjetin tip “Nisan”, ku gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një kapuç, maskë, një fenelinë dhe një radio si ajo e policisë, tre aparate celularë, një trapan, pesë copë fishekë arme gjahu, veshjet të dyshura të përdorura në kohën e ngjarjes” njoftoi policia.

Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë gjahu, shtatë fishekë arme gjahu, një thikë metalike, tre radio si ato të policisë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 10 shkurtit, ku katër persona të maskuar dhe me armë zjarri tentuan të vidhnin banesën e shtetasit Arben Çepele, 57 vjeç, dhe për pasojë ngeli i plagosur në këmbë kushëriri i 57-vjeçarit, shtetasi Arben Çepele, 47 vjeç.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat