Zbardhet dëshmia: Si i moshuari përplasi për vdekje bashkëfshatarin! Kishin konflikte prej 1 viti

Shqipëria

Zbardhet dëshmia: Si i moshuari përplasi për vdekje bashkëfshatarin! Kishin konflikte prej 1 viti

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 10:17
Foto ilustrim

Një 68-vjeçar ka humbur jetën ditën e djeshme, pasi u përplas me makinë nga bashkëfshatari i tij.

Sipas burimeve nga uniformat blu, ngjarja dyshohet të jetë e qëllimshme, ndërsa ndodhi rreth orës 13:00 të së mërkurës, në fshatin Bungaj të Njësisë Administrative Kthellë, Mirditë.

Viktima është identifikuar si shtetasi Mark Gjeta, 68 vjeç, banues në fshatin Bungaj. Ai u përplas nga automjeti tip “Benz” që drejtohej nga një bashkëfshatar i tij, shtetasi Mhill Gega, 60 vjeç. Goditja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme 68-vjeçarit Mark Gjeta. Pas kësaj ngjarjeje, Policia shoqëroi në komisariat autorin e dyshuar.

NGJARJA

Sipas dëshmive të dhëna nga banorët e fshatit ku ndodhi ngjarja, autori dhe viktima kanë pasur konflikte prej më shumë se një vit. Madje, ata kanë treguar për uniformat blu se, viktima bashkë djalin e tij e kanë dhunuar pak kohë më parë 60-vjeçarin Mhill Gega. Ky i fundit dyshohet se momentin e ngjarjes ka qenë nën efektin e alkoolit. Në një moment, ka marrë makinën e tij dhe ka goditur për vdekje Mark Gjetën.

Ky i fundit ka qenë duke lëvizur në këmbë në një nga rrugët e fshatit dhe në momentin që ka parë duke ardhur makina me shpejtësi në drejtim të tij, ka tentuar të largohet, por pa ia arritur qëllimit. Nga përplasja, 68-vjeçari ka marrë plagë në kokë, çka i shkaktuan vdekjen e menjëhershme, pavarësisht përpjekjeve të banoreve të zonës, të cilët i erdhën menjëherë në ndihmë. Kanë qenë këta të fundit të cilët kanë njoftuar Policinë në lidhje me ngjarjen, por mbërritja e bluve zgjati përreth 1 orë, pasi fshati Bungaj është zonë malore dhe rruga e dëmtuar. Policia bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e autorit që shkaktoi aksidentin e qëllimshëm, pak metra larg vendit të ngjarjes. Ai është shoqëruar në Komisariatin e Mirditës dhe pritet të merret në pyetje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

KONFLIKTET

Policia ka marrë gjithashtu në pyetje banorë të zonës dhe familjarë të viktimës dhe autorit. Dy familjet, disa kohë më parë dyshohet të kenë pasur konflikt, çka ka sjellë edhe ngjarjen e djeshme. Të dyja palët kanë dhënë sqarimet përkatëse përballë uniformave blu, ndërsa trupi i viktimës është transportuar në morgun e Spitalit të Mirditës, ku iu krye edhe një ekspertim mjekoligjor.

DËSHMITARI

Një banor i zonës është shprehur se e ka parë makinën, duke lëvizur me shpejtësi dhe më pas ka dëgjuar zhurmë. “Unë në fakt isha duke punuar te toka ime, sipër rrugës. Pashë një makinë që po lëvizte me shpejtësi dhe më pas dëgjova zhurmë. Dola në rrugë dhe pashë që kishte përplasur një person. Bashkë me persona të tjerë u munduam t’i japim ndihmën e parë, por ishte pa shenja jete, sepse kishte marrë goditje në kokë. Menduam që ngjarja është aksidentale dhe menjëherë njoftuam Policinë, ndërkohë që as autori nuk tentoi të largohej”, është shprehur banori i fshatit ku ndodhi ngjarja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat