Shkullaku: Lëreni Ramën të shkojë të çmallet me fëmijët

Shqipëria

Shkullaku: Lëreni Ramën të shkojë të çmallet me fëmijët

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 11:51
Armand Shkullaku

Kryeministri Edi Rama deklaroi dy ditë më parë se ai ka nevojë për një mandat të tretë sepse do që të sakrifikohet për shqiptarët. Ai tha se do donte që të kthehej pranë familjes dhe të çmallej me ta, por Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për të.

Në një shkrim-ironi, analisti Armand Shkullaku thotë se nëse Rama kërkon të bëjë një sakrificë për shqiptarët, bën mirë të shkojë vërtet në shtëpi.

“Pas 8 vitesh, Edi Rama u tha shqiptarëve se është i gatshëm të sakrifikohet për ta duke qëndruar edhe 4 vite të tjera në pushtet. Ai do të kishte dashur t’i përkushtohej familjes së tij, por duke qenë se është i vetmi që ka “fuqinë e ambicies, vullnetit, dijes dhe eksperiencës”, është i dënuar të jetë përsëri kryeministër.

Ky është rasti i parë kur një kryeministër , pas 8 viteve qeverisje, kërkon të marrë një mandat të tretë për të realizuar ato që premtoi në dy të parët. Reformimin e sistemit shëndetësor, luftën kundër korrupsionit, taksim progresiv më të drejtë, infrastrukturë moderne, etj. Këto i ka përmendur vetë Rama, pa u skuqur e pa u zverdhur, në postimin e famshëm, ku merr përsipër me vetmohim të sakrifikohet për popullin edhe 4 vjet të tjera në karriken e kryeministrit.

Paradigma e liderit që nuk ka bërë asgjë në 8 vjet por duhet rizgjedhur se përsëri mbetet më i miri, është e vetmja mbi të cilën mund dhe po ngrihet fushata e Ramës. Në vend të ballafaqimit me secilin prej premtimeve që ka marrë përpara shqiptarëve, ai zgjedh të merret me kundërshtarin politik. Në vend të bilancave, preferon të deligjitimojë me gjuhë perverse mediat që ia shpalosin ato. Në vend të tregojë rezultatet konkrete të qeverisjes së tij, shfaqet si hije e Erion Velisë duke shpërndarë ca çelësa shtëpish. Inspektime me projekte 3D në dorë, ministra mbi traktorë sapo kthehen nga Dubai, stadiume e pallate sporti për të injektuar një grusht vaksinash… Dhe për t’i shpëtuar ikjes nga llogaridhënia për të shkuarën qeverisëse, tashmë shënon kulmin e pacipësisë me tezën e re: Më zgjidhni mua se mendoj më shumë për ju se sa për familjen time biologjike!” shkruan Shkullaku.

“Mirëpo qytetarëve u mungojnë provat se Edi Rama vërtet mendon për ta. Dhe kjo jo vetëm se si kryeministër në 8 vite u ka dhënë vetëm shfaqje dhe jo mirëqenie, por edhe se personalisht bën një jetë tjetër nga ajo që reklamon. Atij i mungojnë si rezultatet ashtu edhe shembulli personal për t’i bindur shqiptarët për vetësakrifikimin e tij edhe katër vjet të tjera".

“Tani, pas 8 viteve, ai po kërkon të shndërrohet në kryeministrin e popullit. Madje i gatshëm të vetëflijohet për të, duke mos shkuar në shtëpi edhe katër vite të tjera. Nëse mendon të bëjë një sakrificë për shqiptarët, bën mirë të shkojë vërtetë në shtëpi. Familja do të çmallej me të dashurin e munguar dhe të tjerëve nuk do t’u mungonte kryeministri i përvëluar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat