Policia shqiptare dekonspiroi hetimin e Gjermanisë për kokainën, zbardhet dosja e ish-shefit të OFL-së

Shqipëria

Policia shqiptare dekonspiroi hetimin e Gjermanisë për kokainën, zbardhet dosja e ish-shefit të OFL-së

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 14:00
Artan Shkëmbi

Policia shqiptare ka dekonspiruar një hetim tepër sekret të policisë gjermane ndaj një grupi kriminal që trafikonte sasi të mëdha kokaine në zonën e Hamburgut.

Ora News ka mësuar detaje nga dosja hetimore ndaj ish-zv.drejtorit të Operacionit Forca e Ligjit në policinë e shtetit, Artan Shkëmbi, i pezulluar nga detyra me vendim të gjykatës.

Ish-numri dy I OFL po hetohet për veprat “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” pas kallëzimit të bërë nga autoritetet diplomatike e policore gjermane më 9 shtator 2020.

Referimi i rastit për hetim përshkruan se dy shqiptarë të akuzuar për trafik kokaine në Gjermani ishin informuar për hetimin që po zhvillohej ndaj tyre në hamburg, pasi pala gjermane dërgoi në Tiranë në zyrat e policisë shqiptare kërkesën për bashkëpunim në shkëmbimin e informacioneve për këtë rast.

Në dosje thuhet se nga verifikimet rezultoi se një punonjës i policisë së shtetit u ka dhënë rregullisht informacione, anëtarëve të grupit kriminal të kokainës të cilët njoftoheshin direkt dhe indirekt për hetimet që po zhvilloheshin ndaj tyre.

Konkretisht sipas dokumenteve që disponon Ora News, dy shqiptarët nën hetim për trafik kokaine janë shtetasit me iniciale K.V dhe A.P, të cilët dyshoheshin nga policia gjermane për për trafikimin e sasive të konsiderueshme të kokainës.

Në kuadër të hetimit ndaj këtyre dy personave mësohet se Policia gjermane në datën 19 mars 2020 përmes oficerit të kontaktit ka paraqitur në zyrat e policisë shqiptare kërkesën për verifikimin e pasurive të dy shqiptarëve me iniciale K.V. dhe A.P., me qëllim identifikimin e aseteve që ata kishion në Shqipëri.

Autoritetet gjermane shkruanin në dokument se hetimi ishte tepër sekret dhe theksonin se nëse rrezikohej dekonspirimi, pala shqiptare nuk duhej të kryente asnjë veprim. Ora News mëson se dokumenti i kërkesës që autoritetet gjermane kishin dërguar në tiranë për verifikimin e pasurive ka mbërritur në telefonin e të hetuarit K.V. në datë 10.04.2020 rreth orës 16:00

Përveç kërkesës në fjalë, shtetasit K.V. i janë përcjellë edhe fotot e tij dhe të personit tjetër nën hetim A.P., së bashku me të dhënat e nxjerra nga sistemi Deep See, i policisë së shtetit.

Nga hetimi i filluar nga SPAK pas denoncimit të autoriteteve gjermane është evidentuar fakti se i vetmi person që ka loguar në sistemin Deep See në datë 10.04.2020 është ish-nëndrejtori i OFL Artan Shkëmbi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat