Shqipëria ka rreth 82 mijë të moshuar mbi 80 vjeç! Ja sa vaksina duhen

Shqipëria

Shqipëria ka rreth 82 mijë të moshuar mbi 80 vjeç! Ja sa vaksina duhen

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 09:19
Foto ilustrim

Sipas INSTAT, Shqipëria ka 26,275 të moshuar mbi 85 vjeç dhe 55,689 nga 80 vjeç deri 84 vjeç. Qeveria nisi të dielën vaksinimin e moshave mbi 80-vjeçare dhe rreth 400 të moshuar morën dozën e parë të vaksinës. Por, këta të përzgjedhur nga qeveria mund të jenë për një kohë të gjatë të vetmit të moshuar të vaksinuar.

Shqipëria mori dje 2190 doza të tjera të vaksinës “Pfizer”, të cilat do të shërbejnë për vaksinimin e pjesës tjetër të mjekëve. Nga 23 mijë mjekë e infermierë, deri tani, sipas ministres, janë vaksinuar rreth 4500. Për vaksinimin e të gjithë mjekëve duhen rreth 46 mijë doza vaksine. Sipas kontratës së publikuar me “Pfizer”, Shqipëria brenda tremujorit të parë pritet të marrë rreth 40 mijë doza vaksine, që normalisht do të shërbenin për të vaksinuar bluzat e bardha. Por, me një vendim tjetër, qeveria filloi edhe vaksinimin e mbi 80-vjeçarëve. Nëse do të vazhdojë me këtë strategji, atëherë duhet që për 82 mijë të moshuarit të gjenden 164 mijë doza “Pfizer” ose “Moderna”. Rama theksoi dje se shumë shpejt do të merrte nga një vend mik rreth 360 mijë doza të vaksinës “AstraZeneka”. Por, kjo vaksinë në vendet e BE-së po përdoret për moshat nën 65 vjeç. Pra, nuk i shërben moshës së tretë. Në këto kushte, duket se qeveria do të përzgjedhë, pasi ka filluar vaksinimin e 400 prej tyre, se kush nga 82 mijë të moshuarit do të jetë i sigurt nga Covidi dhe kush jo.

Një tjetër problem është se për të vaksinuar të gjithë të moshuarit ose pensionistët mbi 65 vjeç, do të duhen 840 mijë doza vaksinash “Pfizer” ose “Moderna”. Shqipëria ka 420 mijë të moshuar mbi 65 vjeç. Ndërsa për të vaksinuar të gjithë popullsinë, pra, nga mosha 19 vjeç e lartë, për 2.1 milionë banorë do të duheshin 4.2 milionë doza. Këtu përfshihen të gjitha llojet e vaksinave. Qeveria zotohet se brenda 14 muajve do të arrijë të vaksinojë të gjithë popullatën, por të ketë dozat e nevojshme. Kjo do të thotë se do të jetë e aftë të injektojë rreth 300 mijë doza në muaj, ose rreth 10 mijë doza në ditë pa asnjë ndërprerje.

Kjo mbetet një sfidë e vështirë, si për shkak të mungesës së vaksinave, ashtu edhe për shkak të logjistikës që do të duhej. Sidoqoftë, deri tani, qeveria zyrtarisht ka hapur procesin e vaksinimit të mbi 80-vjeçarëve dhe për ta mbyllur do t’i duhen 164 mijë doza vaksine “Pfizer”.

Image

DJE MBËRRITEN 2190 VAKSINA

Kanë mbërritur dje në Shqipëri 8190 doza të tjera të vaksinës “Pfizer”. Përpara se dy kutitë me vaksina të zbrisnin nga avioni, si dërgesa e tretë, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se dozat e fundit do të injektohen te mjekët dhe të moshuarit. Duke folur për situatën e krijuar nga Covid19 në vend, kreu i qeverisë tha se shumë shpejt do të arrijnë edhe 360 mijë doza të reja vaksinash që do të përmirësojnë ndjeshëm situatën. Kreu i qeverisë u shpreh se qeveria nuk hyn tek ata që dorëzohen, por do të luftojnë deri në fund. “

Vazhdojmë çdo ditë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një shtet mik për një sasi prej 360 mijë dozash të vaksinës ‘AstraZeneca’. Jemi në komunikim intensiv me dy shtete të tjera me synimin që të shtojmë sasinë e vaksinave në mënyrë që të mos kemi në asnjë moment ndalim, të rrisim tempin pozitivisht me objektivin e shpallur që të vaksinojmë të gjithë popullatën brenda pak muajsh. Kjo është ambicioze në kushtet ku ndodhem. Për faktin se çdo ditë lufta për të sfiduar doza vaksinash është shumë e fortë dhe sasia në raport me kërkesat është e vogël. Ne nuk hymë nga ata që dorëzohemi, por shumë shpejt do të kemi lajme të mira. Situata është kjo, vazhdojmë vaksinimin në të gjithë territorin e bluzave të bardha. Jemi në përfundim të vaksinimit të të gjithë banorëve të shtëpisë të moshuar dhe personelit të tyre dhe kemi nisur vaksinimin e personave +80 vjeç. 70% e vaksinave është shpërndarë te 7 shtete. Ndërsa të gjitha shtetet e tjera që kanë pasur akses në dozat e mundshme kanë marrë pjesë apo kanë ndarë mes tyre vetëm 30% të sasisë. Por ka dhe 140 shtete që nuk kanë ende asnjë dozë në dispozicion. Dozat që kemi marrë dhe po marrim kanë një rëndësi jetike për personelin mjekësor. Kjo është dhe arsyeja që synojmë të mos ulim ritmin. Dua të them që, nga të gjitha të dhënat e deritanishme, nuk kemi pasur asnjë rast ndonjë lloj shqetësimi të personave të vaksinuar dhe nga eksperienca ime personale, antitrupat zhvillohen në mënyrë shumë mbresëlënëse si rezultat i vaksinimit”, tha Rama.

Kryeministri u ndal dhe te vaksinat ruse e kineze, duke theksuar se nuk janë konsideruar jo për cilësinë dhe sigurinë dhe as për çështje buxheti, por sasitë edhe për ato vaksina janë të kufizuara. “E kam ndjekur këtë diskutim dhe dua të bëj një sqarim. Askush mos të mendojë se vaksina kineze apo ruse është në tezga që mjafton vetëm të shkosh, të paraqitesh, të paguash dhe t’i marrësh. Nuk është kështu. Sasitë dhe për ato vaksina janë të kufizuara. Është çështje prodhimi. Ne nuk kemi asnjë arsye në botë, s’kemi mundësi të vëmë në diskutim integritetin dhe profesionalizmin e shkencëtarëve kinezë dhe rusë. Nga pikëpamja e vlerës së këtyre vaksinave, nuk kemi asnjë dyshim dhe kontestim, por kemi parasysh që nga njëra anë janë vaksina ende të paaprovuara në nivelin e OBSH-së”, tha Rama.

MANASTIRLIU

Në prezencë të Kryeministrit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se nga nesër do të intensifikohet procesi i vaksinimit me qëllim përfundimin e vaksinimit te stafet mjekësore. Për të parandaluar përhapjen e virusit, Manastirliu u shpreh se në fundjavë do të kemi vlerësim të masave ndaj Covid-19, por sipas saj, qeveria nuk dëshiron që të shkojë drejt masave të mëtejshme kufizuese.

“Nga nesër vijojmë të intensifikojmë vaksinimet. Këtë javë kemi ambicien që të mbyllim stafin mjekësor në të gjithë Shqipërinë. Në fundjavë do të kemi vlerësim të masave ndaj Covid-19. Ka trend të qëndrueshëm të incidencës ditore. Masat e fundit shtrënguese që kemi marrë kanë të bëjnë me uljen e orës policore dhe alternimet e mësimit online. Impakti i masave nuk është i menjëhershëm. Ky impakt shikohet për 14 ditë. Ne nuk duam që të shkojmë në masa të reja kufizuese, sepse në rast se mund të respektojmë rregullat ndaj koronavirusit, mund të mos shkojmë drejt një situate ku bota dhe shtetet europiane kanë dy muaj që janë. Janë vaksinuar më shumë se 6 mijë mjekë dhe infermierë. Pas mjekëve dhe infermierëve do të vaksinohen moshat më të rriskuara. Ka nisur tashmë vaksinimi i moshave mbi 80 vjeç”, tha Manastirliu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat