Ministrja Ekonomi flet për dëmshpërblimet e përmbytjeve në Shkodër

Shqipëria

Ministrja Ekonomi flet për dëmshpërblimet e përmbytjeve në Shkodër

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 10:54
Milva Ekonomi

Ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi deklaroi nga Shkodra se banorët e përmbytur të NënShkodrës duhet që të dëmshpërblehen nga bashkia përmes fondit prej 4 për qind të emergjencave civile.

Ministrja tha se bashkia duhet që të bëjë vlerësimet e dëmeve dhe më pas të bëjë dëmshpërblimet. Në rast se ka nevojë për fond shtesë atëherë do të shqyrtohet nga ana e qeverisë.

E pyetur se kur do nisin vlerësimet mbi përmbytjet ajo u shpreh: “Kjo është punë e bashkisë jo e qeverisë. Ligji i Emergjencave Civile i jep një përgjegjësi bashkisë për të përballuar emergjencat civile. Dëmshpërblimi është një akt që vjen nga bashkia. Buxheti është i ndarë në dy shtylla, qendror dhe lokal. Nëse do të ketë nevojë për shtesë atëherë do të shikohet hap pas hapi”.

Ministrja Ekonomi ishte në Shkodër për t’i dhënë kartën e parë të naftës falas fermerit Kujtim Lamthi nga Malësia e Madhe, i cili është i pari që aplikoi në E-Albania për naftën falas. Aktiviteti u zhvillua në mjediset e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Shkodër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat