PD, sfidë Ramës e Veliajt: Tregoni në gjyq se kujt ia dhatë 23 mln euro

Shqipëria

PD, sfidë Ramës e Veliajt: Tregoni në gjyq se kujt ia dhatë 23 mln euro

Më: 4 mars 2021 Në ora: 12:25
Belind Këlliçi dhe Ina Zhupa

Sot në gjykatë bashkë me Ina Zhupën sepse jemi paditur për shpifje për çështjen e inceneratorëve nga Mirel Mërtiri dhe kasta politike që ndan paratë me të. Ku je Mirel Mërtiri? Pse nuk paraqitesh në gjykatë të bësh transparencë?’

Deklarata  është bërë nga kreu i FRPD-së dhe i dërguari politik i PD në disa zona të Tiranës, Belind Këlliçi.

‘Të paraqiten bashkë me ty Rama dhe Veliaj. Pse nuk vini të përballemi? 23 milionë euro iu kushton qytetarëve të Tiranës ky incenerator ndërkohë që plehrat janë bërë kapicë. 51 mijë euro në ditë paguajnë kryeqytetasit dhe Tirana vazhdon të qelbet. Ne kemi vendosur të jetojmë këtu por Tirana është e pajetueshme, jo se është e varfër por se është e vjedhur nga këta që mendojnë se do na trembin me një padi në gjykatë. Prisja t'ju shihja fytyrën në gjykatë po si hajdutë e frikacakë që jeni, nuk erdhët. Edhe 52 ditë! Pastaj ju pret drejtësia! Për jetën e vrarë të Ardit Gjoklaj dhe për 6.2 miliardë euro vjedhje në 8 vjet!

Erdhëm sot në zbatim të ligjit për t’u përballur në fakt me palën që na ka akuzuar. Prisja në gjykatë Mirel Mërtirin të parin, bashkëpronarët e tij në parajsat fiskale. Të vijnë që t’ia bëjnë publike gjithë qytetarëve të Tiranës  se kush janë në fakt pronarët e vërtetë. Këtu duhet të ishte edhe Erion Veliaj në gjykatë, bashkë me Edi Ramën, mafia e plehrave, kokat e mafies së plehrave. Të na thonin se kush janë në të vërtetë pronarët e një inceneratori fantazmë që i kushton qytetarëve të Tiranës deri tani 23 milion euro dhe që Tirana sot është më e pistë dhe qytetarët e Tiranës paguajnë 51 mijë euro në ditë për pastrimin e kryeqytetit.

Tirana është e mbushur me plehra, sepse Tirana duke nisur nga zyra e kryetarit të Bashkisë dhe e kryeministrit në brendësi të saj ka vetëm plehra. Ka plehra të cilët kanë lënë Shqipërinë në vendnumëro. Ka politikanë të korruptuar, drejtues qeveritar të korruptuar që luajnë me fatin e të rinjve, që luajnë me fatin tonë, luajnë me fatin e shqiptarëve.

Ne erdhëm këtu për t’u përballur por përballje nuk pati. Pala kundërshtare as nuk denjoi të vinte, të paraqiste prova se pse po gënjejmë ne, çfarë po gënjejmë, çfarë kemi thënë që nuk shkon që nuk është e vërtetë. Nuk na trembin dot. Jo me padi, jo me shantazhe, jo me kërcënime, e kanë të kot.

Për fat të mirë sot jemi 52 ditë larg nga 25 prilli një datë që do të ndajë njëherë e mirë të ardhmen e këtij vendi. Mjaft më me abuzimin me fondet e shtetit, me buxhetin e shtetit, me lekët e taksapaguesve shqiptarë. Ne me të vërtetë jemi një vend i vogël, një vend i varfër, por me aq para sa ka, sigurisht nëse ka një vullnet të mirë dhe një mirëqeverisje, edhe Tirana mund të pastrohet edhe rrugë mund të ketë në kryeqytet edhe lagjet mund të rregullohen edhe kopshte mund të ndërtohen edhe çerdhe mund te ndërtohen edhe ky vend mund të bëhet i jetueshëm. Sot Tirana është e pajetueshme duke nisur pikërisht nga niveli i ndotjes në kryeqytet’, tha në fjalën e tij Këlliçi.

Gazetarja: A kishte përfaqësues nga qeveria sot në gjyq?

Belind Këllici: Duhet të vinin. I kemi kërkuar, nuk vijnë. Tirana sot është i vetmi vend në botë që paguan miliona euro për djegien e plehrave dhe nuk digjen plehrat dhe qyteti është i mbushur me plehra. Dhe pse të çohemi ne para gjykatës, dy të rinj, unë dhe Ina ? Pse ? Sepse kemi ngritur zërin. Të dalin  ta bëjnë transparente, nuk ka asnjë problem. Të thonë të vërtetën ku shkojnë këto para. Ne nuk jemi të varfër, ne jemi të vjedhur, këtë duhet të dinë shqiptarët. Raporti i KLSH- e ka shprehur qartë, të zezë mbi të bardhë, se në 8 vite janë vjedhur 6.2 miliardë euro të lekëve të taksapaguesëve shqiptarë. Kjo është absurde, kjo histori duhet të marrë fund. Në këtu do të jemi, do të jemi sërish në mbrojtje të opinionit publik, në mbrojtje të kauzave të qytetarëve, për të ngritur zërin, jo për veten tonë por për interesin e qytetarëve shqiptarë. Kemi vendosur të jetojmë në këtë vend, ta bëjmë këtë vend të jetueshëm, të jetë një vend normal. Të jetë një vend normal. Për fat të keq ne, sot, e kam thënë disa herë, gjendemi gjeografikisht në zemër të Europës, por Shqipëria ka standarde Afrikane, si ato të Mirë Mërtirit në Zimbabve. Kështu që i bëj thirrje të gjithë qytetarëve ta refuzojnë dhe ta përbuzin këtë model keqqeverisjeje, vjedhje të taksapaguesve dhe i premtoj që do ti çojmë të gjithë para drejtësisë. Të gjithë para drejtësisë. Ata që vjedhin lekët e taksapaguesve shqiptarë dhe ata që i kanë marrë jetën një të riu si Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, para 4 vite e gjysmë, që sot nuk ka asnjë të dënuar asnjë të akuzuar para drejtësisë. Kjo është e turpshme, është e pafalshme. Dhe ajo ç’na ka ndodhur para pak muajsh në landfillin e Sharrës, ka qenë absurde! Dilnin punëtorët na shantazhuan duke thënë që ju gënjeni sepse këtu nuk ka humbur jetën askush. Kjo është absurde! Ne nuk e meritojmë këtë qeveri, nuk e meritojmë këtë bashki, nuk i meritojmë këtë klasë politikanësh në krye të qeverisë të korruptuar në çdo qelizë të tyre. Ndaj, 25 prilli është një referendum për t’u ndarë një herë e mirë nga e keqja. Faleminderit!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat