I 23-ti në Tiranë, reagon Xhafaj: E pranova sfidën përtej sigurisë së listës, si detyrë ndaj qytetarëve

Shqipëria

I 23-ti në Tiranë, reagon Xhafaj: E pranova sfidën përtej sigurisë së listës, si detyrë ndaj qytetarëve

Më: 9 mars 2021 Në ora: 19:20
Fatmir Xhafaj

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka reaguar lidhur me listat e PS-së dhe renditjen e tij në qarkun e Tiranës.

Përmes një postimi në Tëitter, Xhafaj shkruan se në 25 prill do të ketë nderin që të përballet si socialist me zgjedhësit.

Xhafaj shton se e ka pranuar sfidën për pozicionimin përtej kufirit të sigurisë së listës, si një detyrë e parevokueshme që ka ndaj qytetarëve dhe si një parim që ka për të mos lënë në mes asnjë luftë.

Xhafaj: Kam nderin si socialist që më 25 prill të kem mundësinë e ballafaqimit me qytetarët, maksimalizimin e votëbesimit dhe vijimin e mëtejshëm të përpjekjeve tona për përshpejtimin e proceseve të ndryshimit.  Gjatë karrierës politike e kam ndjerë veten çdo çast në fushatë elektorale përballë syve të qytetarëve. Andaj, kurrë s’e kam vendosur në dyshim mbështetjen e besnikërinë e çdokujt që çmon sakrificat e mia në politikë në emër të ndërtimit të një shteti serioz e të konsoliduar.

E pranova sfidën për pozicionimin përtej kufirit të sigurisë së listës, si një detyrë e parevokueshme që kam ndaj qytetarëve & si një parim që kam në vetvete për të mos lënë në mes asnjë luftë, e sidomos atë më kryesoren që shënjon karrierën time politike, reforma në drejtësi. Të gjitha betejat tona për fuqizimin e shtetit të së drejtës gjenden në një moment përcaktues: Ose do të përmbyllim së bashku të gjithë atë çka kemi nisur me aq mund e sakrifica ose do të përfundojmë në mënyrë të pashmangshme në humnerën e pafundme të atyre që përpara se të prezantohen si alternativë, fillimisht kanë nevojë të çlirohen nga padrejtësia, pandershmëria dhe korrupsioni moral.

Ndaj lipset që bashkërisht të shtojmë të gjitha forcat për ta çuar me vendosmëri përpara luftën tonë si detyrim kyç ndaj qytetarëve që meritojnë drejtësinë e re, barazinë para ligjit, ndëshkim të korrupsionit dhe të ardhme më të mirë për fëmijët, të rinjtë e të rejat. Me bindje & me mbështetjen e gjithë atyre që besojnë tek unë do vijoj më tej punën me forcë e kurajo të plotë. Çdo energji do ta shpenzoj për borxhin e pashlyeshëm të besimit që kam marrë nga çdo socialist & qytetar që s’ma ka kursyer mbështetjen edhe në ditët më të vështira!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat