Sondazhi/ Bie besimi i shqiptarëve te BE! Shtyrja e negociatave dhe pandemia zvogëluan me 13 % besimin

Shqipëria

Sondazhi/ Bie besimi i shqiptarëve te BE! Shtyrja e negociatave dhe pandemia zvogëluan me 13 % besimin

Më: 11 mars 2021 Në ora: 08:29
Foto ilustrim

Mungesa e hapjes së negociatave dhe zgjatja e pritshmërive në procesin e integrimit në BE duket se kanë ndikuar negativisht në zvogëlimin e besimit të shqiptarëve.

Duke u bazuar në rezultatet që dolën nga një anketë e Bankës Qendrore të Austrisë me qytetarët në rajonin e Europës Juglindore, e publikuar nga “Monitor”, tregojnë se besimi i shqiptareve te Bashkimi Europian ka pësuar rënie me gati 13 për qind brenda një viti.

Sipas anketës, në vitin 2019 vetëm 51 për qind e shqiptarëve të anketuar kishin besim te BE-ja në raport me 64 % që ishin në vitin 2018. Në vitin 2009, 70 për qind e shqiptarëve besonin në BE ndërsa një vit më vonë besimi u rrit më shumë. Besimi te BE-ja ka pësuar luhatje vitet e fundit, prej një kulmi 77 për qind, që kishte arritur në vitin 2011, menjëherë pas heqjes së vizave.

Pas këtij viti, shifrat erdhën duke u ulur çdo vit duke treguar se ai besim ishte lëkundur duke arritur në shifrën më të ulët, që jemi aktualisht. Pavarësisht uljes së ndjeshme në vitet e fundit, Shqiptarët mbeten në mënyrë të dukshme me nivelin më të lartë të besimit në BE në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në katër vendet jo anëtarë, Serbi, Maqedoni, Bosnjë dhe Shqipëri ku është zhvilluar anketa, besimi në Bashkimin Europian ka shënuar rënie të ndjeshme më 2019.

Në të kundërt, qytetarët në vendet anëtare të BE-së, të tilla si Bullgaria, Çekia, Hungaria dhe Polonia kanë rritur besimin te BE-ja më 2019. Por, një prej arsyeve të tjera të evidentuara nga anketa është edhe pandemia. Sipas anketës, situata e krijuar nga pandemia Covid-19 i ka larguar edhe më shumë vendet e Ballkanit dhe shqiptarët nga Bashkimi Europian.

Mungesa e solidaritetit për të zgjeruar ndihmat në rajonin më të varfër të Europës dhe tani së fundmi me mungesën e furnizimeve me vaksina mund të rrisin skepticizmin. Duke u bazuar në të dhënat përgjatë dekadës së fundit 2009- 2019, shqiptarët kishin nivelet më të larta të besimit te BE-ja edhe se shtetet e reja anëtare, por kushtet për hapjen e negociatave duket se kanë humbur durimin e shqiptareve.

Në vitin 1999, BE-ja propozoi Procesin e ri të Stabilizim-Asocimit (PSA) për pesë vende të Europës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë. Që nga viti 1999 Shqipëria nisi të përfitojë nga tregtia e lirë me BE-në. Më 15 dhjetor 2010 hyri në fuqi hyrja pa viza në zonën Shengen dhe më 10 tetor 2012 Komisioni Europian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit të BE-së, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fusha të caktuara.

Më 24 qershor 2014, nën Presidencën greke të BE-së, Këshilli i Bashkimit Europian ra dakord të japin statusin e kandidatit të Shqipërisë, i cili u miratua disa ditë më vonë nga Këshilli Europian. Në samitin e 24 marsit 2020 u morr vendimi i hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat