Opozitarët në listën e PS-së, Valteri dhe Shehu: Do e marrim mandatin

Shqipëria

Opozitarët në listën e PS-së, Valteri dhe Shehu: Do e marrim mandatin

Më: 13 mars 2021 Në ora: 15:42
Halit Valteri

Në listën e socialistëve për zgjedhjet e 25 prillit nuk mungojnë deputetët aktualë që kanë marrë mandatin në zgjedhjet e 2017-ës në siglën e PD dhe LSI, por ndryshe nga vendimi i dy partive ata zgjodhën të mos i digjnin mandatet.

Një prej tyre është edhe Halit Valteri, i cili në këto zgjedhje kandidon në listën e Partisë Socialiste, i renditur në vendin e 35 në Tiranë.

"Unë jam përgjigjur ftesës së kryeministrit për të qenë pjesë e listave të Tiranës me kushtin që të jem në fund të saj dhe të provojë sesa vlejë vetë si një politikan i ri", u shpreh Valteri.

Edhe Ylli Shehu që më herët e ka marrë mandatin e deputetit në siglën e LSI, është në listën e kryeqytetit i renditur në vendin e 24.

"Ftesa normalisht ka qenë e kryeministrit dhe unë e prita me shumë dashamirësi që dhe unë të japë kontributin tim në maksimum", tha zoti Shehu.

Të dy deputetët janë të bindur se do e thyejnë listën dhe do të hyjnë në parlament.

"Nëse nuk do të besoja nuk do ta merrja fare këtë iniciativë", tha zoti Valteri.

"Unë do e thyej jo me 10 mijë, por e kam deklaruar edhe më përpara me 12 mijë vota", u shpreh zoti Shehu.

Deputeti i dalë nga listat e PD-së, Halit Valteri nga foltorja e kuvendit jo pak herë ka dalë kundër qeverisë, por sot është në listën e tyre. E për këtë e ka një shpjegim.

"Nuk ka ndryshuar asgjë nga qëndrimi im. Kam kritikuar dhe do vazhdojë ta kritikojë për gjërat për të cilat ata janë gabim", u shpreh ai.

Shehu dhe Valteri nuk janë të vetmit në lista, pasi në Tiranë është dhe Edmond Rushi, në Elbasan Enver Roshi, në Fier Nimet Musai, në Berat Klajdi Qama dhe në Dibër Aurora Mara dhe Vasil Sterjovski në Korçë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat