Kuvendi rrëzon dekretin e presidentit Meta për ligjin në “Karrierën Ushtarake të FA”

Shqipëria

Kuvendi rrëzon dekretin e presidentit Meta për ligjin në “Karrierën Ushtarake të FA”

Më: 16 mars 2021 Në ora: 12:57
Foto ilustrim

Mazhoranca në Kuvend ka rrezuar dekretin e presidentit Ilir Meta për ligjin në “Karrierën Ushtarake të Forcave të Armatosura”.

Dekreti i kreut të shtetit humbet fuqinë e ligjit pasi mori 3 vota pro, 83 kundër dhe 10 abstenim.

Sjellim në vëmendje që presidenti Meta ktheu në Kuvend ligjin “Për karrierën ushtarake në FA”. Në arsyetimin e kreut të shtetit thuhet se ky ligj paraqet disa problematika thelbësore, të cilat diktojnë nevojën e rishikimit me qëllim përmirësimin e tyre nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas Metës ky ligj dekurajon arsimimin e të rinjve, nxit idenë e gabuar se gjen punë dhe “pa shkollë”.

“Synohet të ulet niveli i arsimit të kërkuar për t`u përfshirë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa deri më sot kërkohej si kriter i domosdoshëm ligjor përfundimi i arsimit parauniversitar (shkollës së mesme), tanimë synohet që pas hyrjes në fuqi të këtij ligjit, të lejohet hyrja në radhët e Forcave të Armatosura edhe e atyre shtetasve që kanë përfunduar vetëm ciklin arsimor 9-vjeçar”.

Në argumentet e presidentit theksohej po ashtu se ligji cenon meritokracinë dhe drejtimin në Forcat e Armatosura.

“Forcat e Armatosura qëndrojnë e mbështeten fuqishëm mbi dy shtylla kryesore: Shtylla e karrierës; dhe shtylla e hierarkisë së drejtimit. Duke cenuar njërën nga këto dy shtylla bazë, siç bëhet përmes këtij parashikimi në ligj, janë cenuar drejtpërsëdrejti vetë Forcat e Armatosura, me pasoja të pariparueshme për të ardhmen e vendit. Nëse i hapet rrugë kësaj nisme ligjore, atëherë si President i Republikës, i bëj pyetje përfaqësuesve të Qeverisë dhe Kuvendit, se: I kujt është interesi që trupa jonë ushtarake bazë e Forcave të Armatosura të cenohet dhe të humbasë kredibilitetit e saj?  Jam i prirur të besoj, se kjo është pasojë e mungesës së vizionit dhe vlerësimit të cekët, gjë e cila duhet riparuar domosdoshmërisht. Mos cenoni ecurinë në karrierë dhe fitimin e gradave të ushtarakëve, përmes ndërhyrjes së Qeverisë”, do të deklaronte Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat