Vrasja e Shkëlzen Kastratit/ Çfarë ndodhi në seancën e djeshme ku u la në burg Albert Zaja!

Shqipëria

Vrasja e Shkëlzen Kastratit/ Çfarë ndodhi në seancën e djeshme ku u la në burg Albert Zaja!

Më: 25 mars 2021 Në ora: 09:44
Foto ilustrim

Albert Zaja do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve për vrasjen e 43-vjeçarit nga Fieri, Shkëlzen Kastrati.

Gjykata e Fierit zhvilloi dje seancën për rivlerësim mase ndaj 37-vjeçarit Albert Zaja, ndaj të cilit u la në fuqi masa “Arrest në burg” e dhënë më herët në mungesë. I dyshuari për këtë ngjarje, gjatë seancës deklaroi se ka qenë në Vlorë ditën që ndodhi ngjarja. 37-vjeçari pranoi se ka dijeni për faktin se përse është ndaluar, por nuk pranon se është autor i vrasjes.

Ai ka kërkuar të mbahet në një burg të sigurisë së lartë, pasi ndihet i rrezikuar për jetën, pasi i trembet ndonjë hasmërie të mundshme nga të afërmit e viktimës. Por, kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga gjyqtarja e çështjes. Për shkak të kësaj frike, ditën e djeshme Gjykata e Fierit është rrethuar nga forcat RENEA, për shkak të ndonjë incidenti që mund të ndodhte momentin kur 37- vjeçari shoqërohej në gjyq. Albert Zaja dyshohet se është personi që ka qëlluar me dy plumba më datë 1 shkurt 2020 në Sheq të Fierit, Shkëlzen Kastratin brenda makinës së tij.

Ai u kap më 21 mars nga forcat RENEA në fshatin Larushk të Krujës, ndërsa tre personat e tjerë janë ende në kërkim: Elmir Tufa, Elson Xhecuka dhe Roland Cara. Gjatë atentatit në rrethrrotullimin në hyrje të Fierit, viktima humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një tjetër automjet në këtë rrugë, në të cilën ndodheshin babë e bijë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.

Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe disa minuta më pas, në mbikalimin e fshatit Baltëz, në “Bypass”-in e Fierit, Policia gjeti të djegur mjetin tip ‘Range Rover’. Me vrasjen e 43-vjeçarit, Albert Zajën e lidh mjeti tip “Audi” që u gjet në Thumanë, me të cilin janë larguar autorët pas djegies së fuoristradës në Baltëz. Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, dyshohet se është vazhdimi i vrasjes së ndodhur në vitin 2016 në Fier, ku shënjestër ishte Klement Kastrati, vëllai i viktimës. Shënjestra bashkë me një tjetër person mbetën të plagosur, ndërsa u vra një person nga Patosi.

OPERACIONI PER KAPJEN E ALBERT ZAJËS

Albert Zaja, ishte një nga 4 personat e shpallur në kërkim për vrasjen që ndodhi më 1 shkurt të këtij viti në Sheq të Madh. Operacioni për kapjen e tij është realizuar në fshehtësi të plotë nga forcat speciale RENEA, që pasi kanë siguruar informacion për vendndodhjen e Zajës, e kanë rrethuar atë në shtëpinë e tij në fshatin Larushkë, të Niklës, në Fushë-Krujë.

Në mënyrë që të mos dekonspiroheshin, forcat speciale kanë përdorur automjete civile në operacion, megjithatë duket se në momentin e fundit Albert Zaja ka kuptuar se ishte rrethuar e ka tentuar të largohet. Duke ecur me vrap për t’i shpëtuar arrestimit, ai ka tentuar të fshehë në baltë armën që mbante pa leje, një pistoletë tip “Glock”, me një krehër me fishekë dhe fishek në fole, e cila është sekuestruar. Zaja nuk ka arritur të largohet shumë nga vendi ku ishte i rrethuar dhe është neutralizuar nga forcat RENEA. Burimet thanë se ai nuk ka bërë rezistencë dhe në momentin që i është bërë thirrje që të dorëzohej, ka ngritur duart lart. Pas arrestimit, Albert Zaja është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për t’u transportuar më pas në drejtim të Policisë së Fierit.

Kush janë tre të dyshuarit e tjerë në kërkim

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të Policisë së Fierit në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale ka vendosur në mungesë masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim edhe për 3 persona. Për këtë ngjarje vazhdojnë të jenë në kërkim edhe shtetasit, Elson Xheçuka, Elmir Tufa dhe Silvio Cara. Më 24 dhe 25 shkurt forcat RENEA zhvilluan kontrolle të imtësishme në kompleksin “Arbëria” në qytetin e Laçit, ku u dyshua se po fshiheshin të shpallurit në kërkim për vrasjen e Shkëlzen Kastratit. Nga kontrollet është gjendur një pistoletë në një kasolle afër kompleksit. Arma e gjetur ishte tip “Glock”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat