Zjarri vijon në Kashar, reagon Meta: Tragjedi, alarm për institucionet

Shqipëria

Zjarri vijon në Kashar, reagon Meta: Tragjedi, alarm për institucionet

Më: 26 mars 2021 Në ora: 08:38
Ilir Meta

Presidenti Meta ka reaguar i shqetësuar për zjarrin e rënë pasditen e së premtes në magazinën e një qendre tregtare tek “Kthesa e Kamzës”, në të cilën brenda ndodhet ende roja i sigurisë Arjan Sala.

Presidenti, nëpërmjet një postimi në facebook  u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të lënë aktivitetin politik dhe të bëjnë detyrën.

“Alarm për institucionet shtetërore!

Prej pasdites së 24 marsit 2021, një tragjedi e vërtetë po ndodh vetëm 3 km larg nga qendra e Tiranës, në ambientet e një biznesi privat, të përfshirë nga flakët, që ende nuk janë shuar.

Sipas të dhënave paraprake një qytetar, me detyrën Përgjegjës i Sigurisë, dyshohet edhe për një shtetas të dytë, kanë mbetur të bllokuar në magazinat e katit të nëndheshëm, ndërkohë që dëmi pasuror i biznesit llogaritet në shifra tepër të larta.

Duke shpresuar, që kjo ngjarje e rëndë të marrë fund me sa më pak pasoja, u bëj thirrje drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, strukturave të Mbrojtjes Civile dhe në veçanti Shërbimit Zjarrfikës të ndërpresin aktivitetet politike, të marrin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit dhe të kryejnë me përgjegjshmëri të lartë detyrën e tyre.

T’u kërkohet ndihmë vendeve partnere nëse ne nuk i kemi kapacitet për ta menaxhuar këtë situatë, por qëndrimi duarkryq është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

U bëj thirrje të fortë institucioneve shtetërore të reagojnë sa më parë për t’i dhënë zgjidhje të menjëhershme kësaj situate tepër të rëndë dhe me pasoja tepër serioze!”

Zjarri vazhdon të jetë ende aktiv dhe forcat zjarrfikëse nuk kanë mundur ta vendosin nën kontroll.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat