Sfida të ekonomisë shqiptare

Shqipëria

Sfida të ekonomisë shqiptare

Më: 27 mars 2021 Në ora: 08:50
Foto ilustruese

Ekonomia shqiptare po përballet me vështirësi e sfida të shumta, të cilat lidhen drejtpërdrejt me krizën e krijuar nga pandemia, por edhe me nevojën për një riorientim të politikave ekonomike, për të siguruar një rritje të qëndrueshme afatgjatë ekonomike.

Ekonomia shqiptare po përballet me vështirësi e sfida të shumta, të cilat lidhen drejtpërdrejt me krizën e krijuar nga pandemia, por edhe me nevojën për një riorientim të politikave ekonomike, për të siguruar një rritje të qëndrueshme afatgjatë ekonomike.

Në këtë kontekst, politikëbërja duhet të fokusohet në dy momente kyçe: së pari, në minimizimin e pasojave negative ekonomike të pandemisë dhe, së dyti, në hartimin e politikave dhe strategjive afatgjata të përshtatshme për nxitjen e prodhimit, eksporteve dhe konkurrueshmërisë në treg të produkteve dhe shërbimeve vendase.

Ndërhyrjet afatshkurtra

Fillimisht, në planin afatshkurtër, është e nevojshme që të ketë ndërhyrje dhe ndihma të drejtpërdrejta apo të tërthorta, që mbështesin bizneset e prekura nga pandemia. Edhe pse deri tani janë ndërmarrë disa reforma pozitive në ndihmë të bizneseve, ndikimi i tyre pozitiv mund të zbehet nga impakti i kundërt që lind nga politika të tjera të implementuara njëkohësisht.

Një shembull i kësaj dukurie është vendimi për “heqjen e tatimfitimit dhe rritjen e pragut të TVSH për bizneset e vogla”, i cili krijon një frymëmarrje për këto subjekte, duke ndikuar pozitivisht në përmirësimin e aktivitetit të tyre ekonomik. Por, nga ana tjetër, në të njëjtën kohë, vendimi për rritjen e pagës minimale nga 26000 lekë në 30000 lekë, krijon kosto shtesë për bizneset. Pra, parë nga këndvështrimi i bizneseve, efekti pozitiv i politikës lehtësuese fiskale asnjanësohet nga efekti i rritjes së kostove të tyre nga rritja e pagës minimale.

Në mënyrë që politikat ndihmuese dhe lehtësuese për bizneset të jenë efektive, është e nevojshme që për një periudhë afatshkurtër kohore (minimalisht një vit) të ndiqen vetëm politika fiskale lehtësuese, pa u shoqëruar me politika dhe vendimmarrje që japin efekt të kundërt në të njëjtën periudhë kohe.

Sektorët më të prekur

Më tej, vlen të theksohet se politikat mbështetëse për bizneset mund të orientohen edhe në sektorët që janë prekur më tepër nga pandemia, duke ofruar ndihma direkte ose indirekte për këto subjekte. Nga krahasimi i indekseve të punësimit dhe të pagave të tremujorit të tretë të vitit 2019 dhe 2020, mund të evidentohen sektorët më të prekur të ekonomisë, ndaj të cilëve mund të zbatohen politika lehtësuese specifike.

Në Grafikun 1 paraqiten indekset e punësimit për tremujorin e tretë të vitit 2019 dhe 2020, ku viti bazë është 2015 (2015=100).

Sektorët në të cilët rënia e punësimit ka qenë më e madhe janë bizneset e hotelerisë, restorantet dhe baret, agjencitë e udhëtimit/operatorët turistikë, të ndjekura më pas nga industritë, industritë përpunuese, industritë nxjerrëse. Në bizneset e hotelerisë, rënia e punësimit ka rezultuar me 27%, në bar-restorante me 23,9%, në operatorët turistikë dhe agjencitë e udhëtimit me 26,8%, në industri me 10,8%, në industri nxjerrëse me 15,8% dhe në industri përpunuese me 10,3%.

Ndërsa në sektorë të tjerë, rënia ka qenë në nivele më të ulëta: në transport dhe magazinim me 0,9%, në informacion dhe komunikim me 2,8% dhe në aktivitete arkitekture dhe inxhinierike me 1,2%.

Në Grafikun 2 paraqiten indekset e pagave për po të njëjtat periudha: tremujorin e tretë të vitit 2019 dhe tremujorin e tretë të vitit 2020. Ky tregues reflekton rënie të pagave me 25,6% në sektorin e hotelerisë, rënie prej 26,6% në bizneset e agjencive turistike dhe operatorëve turistikë, 22,8% në sektorin e bar-restoranteve, 15% në bizneset e transportit dhe magazinimit, 8,5% në sektorin e industrisë, 16,8% në sektorin e industrisë nxjerrëse dhe 6,4% në sektorin e industrisë përpunuese.

Të dy treguesit e indekseve të punësimit dhe të pagave konfirmojnë se sektorët më të prekur nga pasojat e pandemisë në ekonomi janë turizmi dhe industria. Kjo për arsye të rënies së numrit të turistëve të huaj, si pasojë e kufizimeve, rënies së nivelit të të ardhurave të turistëve potencialë vendas dhe të huaj, si dhe rënies së kërkesës për produkte të prodhuara në Shqipëri nga industritë e pranishme në vendin tonë, të cilat janë ngushtësisht të lidhura me ecurinë ekonomike dhe kërkesën e tregut të vendeve ku eksportojnë.

Duke pasur parasysh këta tregues, politikat ekonomike afatshkurtra duhet të orientohen drejt stimulimit të rikuperimit të këtyre sektorëve dhe, në raste të caktuara, si për shembull në sektorin e turizmit, mund të ndiqen politika specifike vetëm për këtë sektor, duke filluar nga lehtësitë në taksa, e deri te paketat stimuluese (bonuset) për tërheqjen e turistëve vendas apo të huaj për sezonin turistik që po afron. Për sa i përket sektorit të industrisë, ndihma që mund të jepet për këtë sektor mund të bëhet nëpërmjet lehtësive fiskale.

Problematikat e rritjes së pagës minimale

Nga ana tjetër, rritja e pagës minimale në një moment krize si ky e vë këtë sektor në vështirësi, ashtu sikurse edhe të gjitha bizneset në sektorët e tjerë. Natyrisht që parë nga këndvështrimi i rritjes së standardit të jetesës, mirëqenies dhe rritjes në kontributet e sigurimeve shoqërore, rritja e pagës minimale shoqërohet me efekte pozitive, por kur kjo politikë aplikohet në një moment krize ekonomike, shoqërohet me riskun e përkeqësimit të situatës së bizneseve, rritjen e papunësisë dhe punësimit informal, si dhe rritjen e riskut të falimentit për shumë biznese.

Në këtë kontekst, politikat afatshkurtra duhet të fokusohen vetëm në rimëkëmbjen e bizneseve, nxitjen e konsumit dhe rritjen e besimit në ekonomi, duke u fokusuar edhe në specifikat e sektorëve më të prekur. Këto masa janë shumë më emergjente dhe të domosdoshme sesa investimet e mëdha në infrastrukturë, të cilat mund të realizohen edhe në një moment të dytë.

Ndërhyrjet afatgjata

Për sa i përket rritjes dhe zhvillimit ekonomik afatmesëm dhe afatgjatë, është e nevojshme që të shfrytëzohen potencialet vendase për rritjen e eksporteve dhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit. Edhe pse ka pasur një përmirësim gradual në nivelin e eksporteve, kryesisht në sektorin e bujqësisë, një ndër sfidat kryesore të këtij sektori është përfshirja e të gjitha kategorive të prodhuesve në aktivitetin tregtar, dhe jo vetëm e ndërmarrjeve të konsoliduara prodhuese.

Këto të fundit, duke pasur kapacitetet e duhura financiare, operative dhe të burimeve njerëzore, janë të afta që të studiojnë tregun, të shfrytëzojnë hapësirat e tregut për eksport, si dhe të përfitojnë nga grantet apo politikat e tjera mbështetëse për bujqësinë.

Nga ana tjetër, prodhuesit e vegjël apo individualë, shpeshherë e kanë të pamundur që të gjejnë treg për prodhimet e tyre, për shkak të mosnjohjes së tregut, pamundësisë për të siguruar transportin apo magazinimin e produkteve të tyre, pamundësisë/mosnjohjes së standardeve me anë të të cilave produktet e tyre mund të bëhen konkurruese në treg, si dhe mungesës së infrastrukturës në vendet e tyre. Në mënyrë që ky problem të minimizohet, duhet që krahas ndihmës financiare apo granteve, të sigurohet edhe konsulencë dhe ndërmjetësim me tregun për prodhuesit e vegjël në sektorin bujqësor.

Për sa i përket turizmit, është e nevojshme që të ketë politika më specifike, të cilat lehtësojnë aktivitetin e të gjitha sipërmarrjeve në këtë sektor, pavarësisht vendndodhjes apo madhësisë së biznesit. Gjithashtu, është i nevojshëm edhe përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës rajonale dhe lokale, si dhe kujdesit të vazhdueshëm për mjedisin, si nga këto subjekte, ashtu edhe nga vetë qytetarët apo turistët.

Së fundmi, ajo që përbën shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, është sigurimi i konkurrencës së lirë, e cila duhet të reflektohet në çdo sektor të veprimtarisë së bizneseve, si dhe në çdo politikë fiskale të hartuar dhe zbatuar, apo prokurim publik në të ardhmen./monitor

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat