Grafiku i vaksinimit për të moshuarit/ Për ata mbi 80 vjeç procesi do të kryhet në…

Shqipëria

Grafiku i vaksinimit për të moshuarit/ Për ata mbi 80 vjeç procesi do të kryhet në…

Më: 30 mars 2021 Në ora: 09:22
Foto ilustrim

Për vendin ku do të vaksinohen, datën dhe orën, pensionistët do të njoftohen nga mjeku i familjes.

Paraprakisht është përcaktuar që për personat mbi 80 vjeç vaksinimi të kryhet pranë qendrave shëndetësore, ndërsa për personat mbi 70 vjeç dozat të injektohen në pikat e ngritura posaçërisht nga Ministria. Në kryeqytet prej së dielës janë ngritur dy çadra në sheshin “Skëndërbej” që shërbejnë pikërisht për të vaksinuar personat mbi 70 vjeç. “Kemi vendosur që për arsye të lehtësimit dhe për qytetarët të cilët janë në një moshë +85 vjeç vaksinimi të kryhet pranë qendrave shëndetësore, që të jenë afër vendbanimit. Kurse për grupmoshën +70 vjeç, të ndara sipas fashave të ndryshme, të jetë në pikat e vaksinimit të qendërzuara”, tha ministrja Manastirliu.

RADHA E VAKSINIMIT

Ajo që vlen të theksohet është se si kriter parësor për radhën e vaksinimit është mosha. Që do të thotë se për hartimin e listave po veprohet sipas kriterit moshor. Pensionistët që do të përzgjidhen në këta fazë do të kontaktohen dy herë, një herë për të marrë aprovimin dhe herën tjetër për t’iu komunikuar vendin, datën dhe orën e vaksinimit. “Është shumë e rëndësishme që të ndiqet radha. Dhe ju lutem shumë e them këtë për ju, por e them këtë për të gjithë mjekët e tjerë të familjes. Lajmërimet duhen bërë me shumë korrektesë dhe radha sipas moshës, duke filluar nga grupmosha më e lartë deri te grupmosha tjetër. Duhet që të kemi kujdes në ruajtjen e fashave, në mënyrë që të gjithë të lajmërohen në kohë dhe të gjithë të kenë mundësi ta bëjnë vaksinën sa më shpejt”, theksoi Manastirliu. Pasi përgatiten listat nga qendrat shëndetësore, dërgohen pranë njësisë vendore dhe Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, i cili harton edhe grafikun e datave të vaksinës. Ky grafik i përcillet sërish mjekut të familjes, që bën edhe njoftimin e pensionistëve.

APLIKIMI

Prej së hënës ka nisur dhe aplikimi për vaksinën përmes portalit “e-albania”. Por kjo, duhet thënë, nuk është kusht për pensionistët. Kjo do të thotë që për të marrë vaksinën, të moshuarit apo familjarët e tyre nuk janë të detyruar të kalojnë përmes portalit. Aplikimi online është një alternativë për ata të cilët mund të mos jenë në fashat e caktuara në këtë fazë për vaksinimin, por që për një arsye apo për një tjetër kërkojnë apo shprehin vullnetin për t’u vaksinuar.

Nga ana tjetër, kjo iu shërben edhe personave që nuk kanë kontakt të mjekut të familjes dhe duan të marrin informacion për grafikun e vaksinimit. Por në të gjitha rastet, pika e kontaktit dhe e informacionit do të jetë mjeku i familjes. “Për të gjithë qytetarët që kanë nevojë të informohen se kur do të jetë radha e tyre e vaksinimit, nëse ende nuk e kanë marrë këtë njoftim duhet të kontaktojnë mjekun e familjes, për të bërë kërkesën për vaksinim. Ose të aplikojnë në portalin ‘e-Albania’ me një kërkesë të thjeshtë për aplikim dhe do të njoftohen me telefon nga mjeku i familjes apo mesazh për ditën dhe orën e vaksinimit, si dhe vendin e vaksinimit”, bëri me dije ministrja Manastirliu. Prej fillimit të procesit të vaksinimit deri më tani janë kryer mbi 95 mijë vaksina, ndërsa në total janë administruar 282 mijë doza. Aktualisht në dispozicion janë tri vaksina, përkatësisht “AstraZeneca”, “Sputnik” dhe “Coronavax” apo vaksina kineze. Përzgjedhja do të jetë rastësore. Çka do të thotë se nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore nuk ka një udhëzim specifik se kush do të marrë kë. Të tria vaksinat mund të ruhen në temperaturë +2 deri në +8 gradë, ndaj edhe infermierët do të aplikojnë vaksinën që kanë gjendje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat