Skandali me të dhënat, Rama prezanton patronazhistët dhe kërcënon mbështetësit e Bashës

Shqipëria

Skandali me të dhënat, Rama prezanton patronazhistët dhe kërcënon mbështetësit e Bashës

Më: 18 prill 2021 Në ora: 12:52
Edi Rama

Kryeministri, Edi Rama, bëri atë që di të bëjë më mirë, relativizimin  e asaj që po konsiderohet si skandali më i madh  politik në historinë 30 vjeçare të pluralizmit.

Shumë prej qytetarëve të Tiranës janë njohur tashmë me patronazhistët e tyre në PS që u kanë përvetësuar të dhënat personale, por Rama zgjodhi të na prezantojë sot me figurë një pjesë të tyre, të paktën kështu ju referua dhjetëra të rinjve të PS që i mblodhi para Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Rama: E përdorën si fjalë për të krijuar idenë e një gogoli që ka dalë nëpër Tiranë dhe që monitoron njerëzit. Patronazhisti nuk është një figurë që e shpikëm ne. Është figura kyçe e historisë së zgjedhjeve dhe historisë së përballjeve mes dy partive më të mëdha të botës në SHBA. Patronazhisti është ai që angazhohet aty ku jeton dhe ku i kërkonte që të trokasë dhe të kontaktojë me një numër të caktuar familjesh.

Të kontaktojë me një numër të caktuar dhe të mbajë shënim se çfarë perceptimi ka me ato që takon. Janë majtas apo djathtas. Le të thonë se çfarë të duan ata, se atë punë kanë, patronazhimi është klasa e parë e shkollës së madhe politike, ku kush ka ambicien për të shkuar me lartë e fillon nga patronazhimi. Dikush mund të jetë edhe 60 vjeç dhe është patronazhist i familjes së vet.

E ndërsa Meta i cilësoi fuksa, Rama pati një mesazh për Presidentin.

Rama:Mesazhi im për ata merren me patropnazhistët duke filluar nga Ilir Meta,  ku është kamera? Ja, patronazhistëve t’ju merrni të keqen! Mos harroni asnjëherë patronazhistët ju njohin se kush jeni, mos ta çoni në mend që patronazhistëve tanë ua fshini mendimet tuaja. Ne ju njohim kush jeni dhe po vijmë pas jush dhe në 25prill ju do ta shikoni sa mirë ju njohim juve, edhe ju do të habiteni. Kur votat të fillojnë të numërohen ju do ta kuptoni pse ne juve ju kemi mundur, ju mundim dhe do t’ju mundim. PS nuk është Edi Rama, Edio Rama është vetëm patronazhisti më i gjatë.

Rama madje përdori patronazhimin për të kërcënuar dhe shantazhuar hapur mbështetësit e PD, të cilët sipas tij fshihen pas xhamave të zinj të makinave që shoqërojnë Bashën nga qyteti në qytet.

Rama: Patronazhistët tanë nuk kanë makina të shtrenjta. Ata kujtojnë se po ikin përpara duke u futur në karvan me Lamborgini dhe duke bredhur në Shqipëri. Patronazhistët tani nuk bredhin, ecin dhe ndalojnë, ecin dhe ndalojnë. Në çdo hap marrin shënim kush je, si e ke emrin, si duket situata, për kë ke votuar më përpara, për kë do të votosh këtë herë, po mami, babi ç’thotë? Kush janë brenda atyre makinave që shoqërojnë Lulin në turin motoçiklistik me katër rrota nga një anë në një tjetër? Janë shqiptarët që nuk kanë bukë, nuk kanë punë, që besojnë te puna, sipërmarrja e tyre e vogël shkolla, gjuhët e huaja, teknologjia, puna me tokën?

Kush janë? Patronazhistët e dinë se kush janë ata. Nuk ka xhama të zinj që ju fshehin sepse sytë e patronazhistëve janë me rreze lazer. U them disa drejtueve të SHIK-ut të kohës, doganave dhe tatimeve të asaj kohe që nuk ka për tu kthyer më në 25 prill, disa shefave të policisë së kohës që i lanë policët rrugëve duke ngrënë fara luleledielli dhe që për vete e përdorën uniformën e policisë për grabitje, ne e dimë që ju jeni në ato makina. I them edhe atij drejtorit të basteve të kohës, bashkë me vullnetarët që kanë humbur licencat e basteve ne ua dimë targën e makinës. Kur them ne, jo regjimi, por patronazhimi.

Duek parashikuar një reagim të Presidentit pas kësaj deklarate të tij, Rama e pati një përgjigje edhe për paralajmërimin e Metës për përfshirje në fushatë me doktorin.

Rama: E di shumë mirë çfarë do të ndodhë pas kësaj, mbajeni mend që me të mbaruar kjo do të vijë një klithmë nga Vlora, vetë ai dhe do të thotë po më detyroni të bëj atë që se kam menduar kurrë, të përfshihem në fushatë bashkë me doktorin e madh. Që ti je futur kokë e këmbë në fushatë këtë e di çdo patronazhist, atë që ti nuk di dhe patronazhistët e dinë është që ti do të dalësh nga kjo fushatë i rruar dhe qethur.Prandaj nuk e kupton idhe nuk keni për ta marrë vesh çfarë do të jetë ai breshër votash me 25 prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat