Ish-kryetari i KQZ-së në Shqipëri kritikon politikanët, thotë se shfrynë mllefin në njëri-tjetrin

Shqipëria

Ish-kryetari i KQZ-së në Shqipëri kritikon politikanët, thotë se shfrynë mllefin në njëri-tjetrin

Më: 24 prill 2021 Në ora: 21:48
Kristaq Kume

Shqiptarët nesër do t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe njohësi i proceseve zgjedhore, Kristaq Kume, ka komentuar fushatën e këtij viti nga Tirana.

“Fushata zgjedhore e cila nisi si një fushatë që premtonte se do të zhvillohej në terma normalë në fundin e saj nuk u mbyll si e tillë. Kjo ishte edhe pasojë e faktit se në fakt gjithçka çka është bërë në përgatitjen e këtij procesi zgjedhor është realizuar në sfondin e një situate ku tensionet politike kanë qenë të përhershme prezente. Kam parasysh punën e për rregullimin e Kodit Zgjedhor që u nis gati dy vjet përpara dhe që gjatë gjithë kohës së realizimit të saj është ndeshur me sjellje politike që kanë bërë shumë gjë në funksion të interesave të partive politike por shumë pak në plotësimin e objektivit për të cilin punohej – mirërregullimi i Ligjit Zgjedhor”.

Ai ka kritikuar politikanët në Shqipëri duke thënë se në vend se t’iu paraqisnin qytetarëve programin për çka do të duhej t’i votonin ata u morën me njëri-tjetrin.

“Fakti që ky proces zgjedhor u mbivendos edhe në një situatë tjetër siç është situata e pandemisë të krijonte pritshmërinë se situata nuk do të ishte një situatë që do të përcillte tensione si ato të javës së fundit, por si duket partitë politike tek ne nuk dinë të bëjnë dhe të sillen ndryshe përveç se duke nxjerrë deri në fund mllefet ndaj njëri-tjetrit dhe duke mos komunikuar me zgjedhësin shqiptar në kërkim të votës së tyre duke iu paraqitur programet e tyre dhe mënyrën se si premtojnë për ta mirëqeverisur vendin, por duke treguar se çfarë nuk janë të zotë të bëjnë të tjerët dhe pse nuk duhet dhënë votën të tjerëve. Edhe kjo fushatë zgjedhore të ‘vuajë’ nga fakti se ka përcjellë mesazhin negativ i cili nuk është në funksion të asaj për të cilën duhet zhvilluar dhe për kë bëhen fushata të tillë në prag të zgjedhjeve. Ne jemi në kushtet ku do të zhvillojmë një proces zgjedhor nesër duke pasë në dorë një legjislacion të rregulluar më mirë se ai i mëparshmi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat