Celibashi: Zëvendësimi i numëruesve nuk është kompetencë e KQZ, por KZAZ-ve

Shqipëria

Celibashi: Zëvendësimi i numëruesve nuk është kompetencë e KQZ, por KZAZ-ve

Më: 26 prill 2021 Në ora: 19:59
Ilirian Celibashi

Komisioneri shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi deklaroi se rreth orës 10:00 të mbrëmjes do të bëjë një vlerësim të situatës, se kush e ka bërë mirë apo keq detyrën.

Ai theksoi se trendi i numërimeve nuk është i keq, duke kujtuar se KQZ ka edhe 24 orë të tjera për të përmbushur detyrimin e nxjerrjes së rezultateve në 48 orë. Celibashi tha se zëvendësimi i numëruesve nuk është kompetencë e KQZ por KZAZ-ve.

“Zëvendësimi i tyre (numëruesve) nuk është kompetencë e KQZ, por e KZAZ-ve. Do të vlerësojmë rast pas rasti se cila prej KZAZ-ve e ka ushtruar këtë kompetencë. Ne nuk mund të ndërhyjmë për sa kohë kjo kompetencë i takon KZAZ-të. Do presim orën 10:00 dhe do bëjmë vlerësimin e situatës, kush e ka bërë mirë detyrën dhe kush nuk e ka bërë mirë. Për ata që nuk e kanë bërë mirë do zbatohen sanksionet që parashikon ligji.

Sa herë që transparenca është në ekstrem, kërkesat janë maksimale. Nëse do të kontrolloni faqen e KQZ kur ajo punon është edhe numri i votuesve për të gjitha ato qendra votimi që janë numëruar. Informacioni që kam unë është për 3162 që ka përfunduar numërimi. Numri real i pjesëmarrësve është pasqyruar pasi janë hapur kutitë e votimit”, tha Celibashi.

Duke folur mbi nxjerrjen e rezultateve, ai u shpreh: “Trendi nuk është i keq, sepse kemi edhe 24 orë të tjera. Por shpresoj që të mos lëvizin interesat që mund ta kompromentojnë këtë proces.  KQZ ka atë përgjegjësi që ka. Edhe pse sot edhe mund ta them, KQZ në një lloj mënyre është bërë Prokurori, Polici gjyqësore, Inspektor Tatimor. Ka shumë gjëra për të thënë edhe në këtë aspekt. Ka disa fenomene negative që në asnjë mënyrë KQZ nuk mund ti adresojë. Ka institucione të tjera që shumë mirë mund ta bëjnë detyrën e tyre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat