Humbi mandatin në Gjirokastër, Vangjel Tavo: Garova në kushte të pabarabarta!

Shqipëria

Humbi mandatin në Gjirokastër, Vangjel Tavo: Garova në kushte të pabarabarta!

Më: 27 prill 2021 Në ora: 10:28
Vangjel Tavo

Vangjel Tavo, ish- deputeti historik i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka reaguar pasi kjo forcë politike nuk ka marrë asnjë mandat në qarkun e Gjirokastrës.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, ka pranuar humbjen, ndërsa shprehet se beteja ishte e pabarabartë.

Tavo më tej ka falenderuar të gjithë ata që i kanë dhënë votën, teksa u ka uruar mbarësi mbështetësve.

Postimi i plotë:

Miq,
Ju shpreh mirënjohjen time të thellë për mbështetjen tuaj, për ju që besuat në mua jo vetëm në këto zgjedhje por që nga fillimi i jetës sime politike.
Ka qenë privilegj t’ju shërbej ndër vite dhe të isha zëri juaj, duke ndarë çdo shqetësim me ju, duke ju qëndruar pranë e duke ju ndihmuar me dashamirësinë, mundësitë e mia maksimale dhe me gatishmërinë më të madhe.

Ju kam shërbyer me të gjithë zemër dhe kjo ka qenë kënaqësia më e madhe në jetën time publike.
Siç jeni dëshmitarë, kjo betejë që sapo kaloi ishte në kushte tërësisht të pabarabarta.
Ky nuk është aspak justifikim por një fakt dhe një realitet që u pa dhe nga vetë ju.
Në këto kushte të pabarabarta rrjedhimisht fitorja elektorale ishte e vështirë për t’u arritur.
Shpreh mirënjohjen time të thellë njerëzore dhe personale për të gjithë ju mijëra banorë që më votuat, për të gjithë ju të rinj e të reja që besuat në mua, ju emigrantë që erdhët për të votuar pavarësisht masave anti-kushtetuese dhe diskriminuese të vëna ndaj jush.

Jam krenar dhe mirënjohës për të gjithë ekipin e kandidatëve dhe strukturave të partisë, për komisionerët dhe numëruesit, për familjet e thjeshta që besuan në planin tim për të shuar varfërinë e skajshme që ka prekur qarkun tonë, miqtë dhe dashamirësit, dhe mbi të gjitha për familjet time e cila më është gjendur pranë gjithmonë duke qenë forca dhe mbështetja ime në çdo hap e çdo frymëmarrje.
Qarku i Gjirokastrës është trevë e mrekullueshme dhe meriton shumë e më shumë nga gjendja që është sot, meriton mirëqenie dhe zhvillim. Dhe familjet e thjeshta meritojnë një jetë dhe të ardhme më të mirë.
Ju uroj mbarësi në jetën dhe familjen tuaj dhe do jem gjithmonë miku juaj dhe do jeni përjetë të çmuar për mua.

Njeriu nuk humbet kurrë kur tashmë ka dhënë gjithçka në shërbim të të tjerëve ndaj për këtë do jem gjithmonë fitimtar sepse kam dhënë zemrën dhe energjitë e mia për banorët e qarkut të Gjirokastrës.
Me mirënjohje,
Vangjel Tavo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat