25 prilli, dita për shpagim ose asgjë për gjithçka apo gjithçka për asgjë

Shqipëria

25 prilli, dita për shpagim ose asgjë për gjithçka apo gjithçka për asgjë

Nga: Gjon Neçaj Më: 5 maj 2021 Në ora: 21:30
Gjon Neçaj

Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim të ligjeve kushtetuese. Demokracia të mos prodhojë konflikte të panevojshme mes politikanëve, pushtetarëve dhe partive, por me vizionin përcaktues të hartojnë strategji të reja për zbutjen e varfërisë, që kurba e papunësisë të ulet, dëshirojmë që të ketë energji elektrike dhe ujë për çdo ditë, të ketë sa më pak sharje në parlament e sa më shumë të ardhura për të varfërit, drejtësi për të githë, të mos ketë vrasje, vetëvrasje, krisma tritoli, kërcënime, përdhunime as keqpërdorime dhe bindjet politike të mos përdoren për interesa të ngushta vetjake siç ka ndodhur dhe ndodh rëndom.

Duke dialoguar me vetveten, deshifroj thënien e një rilindasi tonë të madh, se “Shqipëria është e shqiptarëve”, e të gjithë jemi përgjegjës ndaj atdheut, ndaj kombit. Secili prej nesh ka një pjesë fajësimi që t’i nderojmë njësoj heronjtë e kombit, të kemi ekonomi të intensifikuar, tokë sa më shumë të punuar, pyje të gjelbëruara, ara të punuara, lumenj të pastër dhe një Shqipëri “kryezonjë” siç e kanë ëndërruar rilindasit këtu e para një shekulli.

Milionat e eurove, duart e mbushura me orë të florinjta, zinxhirë, varëse qafe të gjyqtarëve, pushtetarëve e kuadrove drejtues të shtetit, po kaluam infinitin e përsëritur të korrupsionit, sovrani do të kthehet idhshëm ndaj tyre e do ua zënë frymën me varëset milionëshe të këtyre njerëze që në emër të popullit, po montojnë një demokraci mjerane. E sovrani pret e pret jo vetëm reformën e thellë në sistemin e drejtësisë, por krejt kupolën ligjvënëse e qeverisëse.

Në sistemet demokratike grupet e caktuar shoqerore e kryesisht ato të përcaktuara politike, progamet që shpalosin në zgjedhjet elektorale, përcaktojnë ndryshimet pozitive të elektoratit, e ata sigurisht i besojnë katërcipërisht se fushatat zhvillohen në kahjen pozitive të mirëqenies së sovranit, për të qënë një shoqëri e civilizuar posepo, por veçanërisht në nivelet ekonomike të Europës, ku synojmë të arrijmë. Duam që ky popull i shumëvuajtur dhe i cfilitur ta shijojë vërtetë lirinë demokratike, duke u bërë ballkon frymëzimi për Ballkanin e më gjerë.

E siç shkruante këtu e vite më parë një publicist dhe akademik shqiptar, nuk ka liri të kriminalizuar, sikundër nuk ka demokraci të dhunuar, e respektivisht nuk ka patur as nuk do ketë liri komuniste në shoqërinë demokratike.

Duke parë në ato vite jetën e mjerueshme të banorëve të atyre anëve, evidentoi në disa fshatra kasollet prej balte ku banonin disa familje, që as për bagëti nuk vlenin dhe në një kohë rekord, ndërtoi mbi 35 shtëpi të reja banimi.

Shpesh këto vite në demokraci, teksa dëgjoj lajmet, bisedoj me krijues, drejtues vendorë dhe intelektualë lidhur me administrimin dhe drejtimin e pushtetit nga të zgjedhurit vendorë, si dhe kandidaturat dhe përzgjedhjen e tyre nga subjektet politike , që shpeshherë janë bërë paksa të bezdisshme, më kujtohet gjenerali në pension i luftës së Spanjës, biri i Kosovës, Veli Dedi, nga i cili dhe nga shumë të tjerë të asaj periudhe duhet marrë shembull, duke udhëtuar diku me mushkë dhe diku me këmbë, shtëpi më shtëpi dhe katund më katund, për të biseduar me qytetarët.

Ndërsa unë dhe fqinjët e mi, sot meditojmë për deputetët tanë, që për katër vjet nuk shkelin në zonën tonë. Ata vijnë vetëm në fillim të fushatave, duke bërë mizën buall dhe detin kos me realizime dhe “investime” të fuqishme.

Por nisur thjesht dhe vetëm nga interesa vetjake, të tillë kandidatë për drejtues vendorë, e kjo tashmë është një “kambanë” për zgjedhjet e ardhshme vendore me ndarjen e re administrative, ku një çerekshekulli radhazi kanë kandiduar, herë me një parti dhe herë me një tjetër.

Pra aty ku shitet ideali dhe morali i tyre, aty qëndrojnë të krekosur në kolltukun e kryetarit dhe të këshilltarit. Edhe nëse fitojnë, përsëri do të mbeten “lejfenë”, ku historia e mëvonshme do t’i përjashtojë edhe nga jeta njerëzore, jo më nga elektorati i tyre i lodhur prej dy dekadash. E ajo ditë ndoshta do jetë jo e largët, e dashtë Zoti që votuesit të mos jenë mërzitur e sfilitur, se Noli ka vdekur me kohë, e nuk ka kush të rrëfejë më për ta.

Në këtë periudhë kohore prej më se një shekull shtet shqiptar, fatkeqësisht kombi ynë ka provuar disa sisteme shoqërore dhe politike. Sistemet politike, të cilat po i cekim më poshtë, jo çdo periudhë historike kanë sjellë prosperitet, por disa syresh edhe pasoja negative që ende sot rëndojnë mbi kurrizin e shqiptarëve të përvuajtur. Për t’u theksuar është fakti se liderët politikë shqiptarë përgjithësisht s’kanë pushuar së reshturi për demokraci dhe mirëqenie sociale. E mjerisht sovrani që meritonte shumë e më shumë, përfitoi skamje, varfëri, mjerim, injorancë dhe diktaturë nga më të egrat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat