Mungesa e vaksinave kineze, vonesë pa afat në injektimin e dozës së dytë! Prej tri ditësh qytetarët përcillen në shtëpi

Shqipëria

Mungesa e vaksinave kineze, vonesë pa afat në injektimin e dozës së dytë! Prej tri ditësh qytetarët përcillen në shtëpi

Më: 20 maj 2021 Në ora: 09:24
Foto ilustrim

Mungesa e vaksinave kineze “Coronavac” ka sjellë kaos në qendrat e vaksinimit, jo vetëm në Tiranë por edhe rrethe.

Për të tretën ditë me radhë, qytetarët kryesisht të moshuar të cilët janë paraqitur për të injektuar dozën e dytë të vaksinës kineze janë përcjellë në shtëpi. Ata nuk janë informuar jo vetëm për këtë vonesë disa ditore, por edhe për faktin sesa gjatë do të duhet të presin për të marrë dozën e dytë.

VONESA

Nga autoritet shëndetësore vetëm një ditë më parë, pas shqetësimit të ngritur në media, është komunikuar që dërgesa e radhës me vaksina kineze pritet të mbërrijë në fundjavë, por për këtë nuk ka asgjë të sigurt. Kjo edhe për shkak të ndryshimit të marrëveshjes me kompaninë distributore turke, e cila e kishte paralajmëruar këtë vonesë që në muajin prill. Kontrata e rishikuar parashikon që furnizimi me dozat e radhës të “Coronavac” të mos bëhet nga Kina, por përmes degës së prodhimit në Turqi. Në këto kushte do të ndryshojë ambalazhimi. Kujtojmë që kontrata u firmos për 500 mijë doza me një faturë 10 milionë dollarë dhe ndërkohë, u tha që ishte rënë dakord që të siguroheshin 1 milion të tilla deri në fund të muajit qershor. Por pavarësisht se kanë qenë në dijeni të këtij fakti, ritmet e vaksinimit janë shtuar ndjeshëm duke mos planifikuar vaksina për dozën e dytë.

KAOSI

Kjo solli amulli me ata të cilët janë në pritje të dozës së radhës. Prej disa ditësh, në qendrat e vaksinimit janë krijuar radhë si edhe nuk kanë munguar tensionet. Qytetarët janë shprehur të irrituar nga kjo vonesë duke mos fshehur nga ana tjetër shqetësimin se kjo mund të rrezikojë efektivitetin e vaksinës. Edhe pse vijohet të thuhet që ka mbetur edhe një sasi dozash të vaksinash kineze, ajo që pranohet është se ato janë të pamjaftueshme për injektimin e dozës së dytë. Në këto kushte e vetmja mundësi që kanë qytetarët është të presin. Nga ana ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik është pohuar që nga vaksina në vaksinë ka një tolerancë 1- mujore dhe kjo vonesë disa ditore nuk cenon efektivitetin e vaksinës. Sakaq, sipas të dhënave zyrtare janë kryer rreth 689 mijë vaksine, pjesa më e madhe prej tyre janë të moshuar mbi 60 vjeç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat