Vrasjet mafioze në vend, Qyno: Vlora ka kriminalitetin më të lartë në Shqipëri, pas saj Elbasani dhe Shkodra

Shqipëria

Vrasjet mafioze në vend, Qyno: Vlora ka kriminalitetin më të lartë në Shqipëri, pas saj Elbasani dhe Shkodra

Më: 22 maj 2021 Në ora: 17:17
Foto ilustrim

Delon Troqe u ekzekutua mbrëmjen e 21 majit në qytetin e Vlorës në një atentat mafioz, duke shënuar vrasjen e katërt në këtë qytet. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me gazetarin Elton Qyno u shpreh se Prokuroria dhe policia kanë marrë masat për të parandaluar krimet, por nga ana tjetër edhe kontigjenti kriminal ka marrë masat për eleminimin e kundërshtarëve.

Qyno: "Policia dhe Prokuroria kanë marrë masat për të parandaluar një sërë masash të rënda, vepra që lidhen me krimet, por që në fakt edhe kontigjenti kriminal ka marrë masa për të goditur kundërshtarët e tyre.

Personazhi  që u ekzekutua ditën e djeshme, Delon Troqe është lakuar nga polica dhe prokuroria e Vlorës, por kishte vetëm 2 muaj që ishte kthyer në Vlorë dhe kishte filluar punë në servisin e tij. Viktima kishte mbërritur në Vlorë më 9 mars 2021. Të gjitha dyshimet e policisë janë se viktima mund të ishte përfshirë në konflikte për çështje droge në Spanjë dhe më pas është ekzekutuar në Vlorë. Ai është qëlluar 16 herë dhe ka marrë 10 plumba në trup. Nga hetimet është mësuar se nuk ka pasur ndonjë komunikim mes autorëve dhe viktimës, por ai është qëlluar në mënyrë të befasishme sapo ka dalë nga servisi i tij. "

Përsa i përket aktiviteteve kriminale të shqiptarëve jashtë vendit, Qyno shprehet se policia nuk ka mundësi financiare t'i gjurmojë këta individë.

Qyno: "Për policinë shqiptare dhe prokurorinë është e pamundur që këta individë t'i ndjekë deri në vendet e ndryshme të Evropës, sepse vetë policia nuk ka mundësi financiare për t'i gjurmuar këta individë. Është e pamundur që një zyrë e  vetme të përballojë kontigjentin e të gjithë elementëve kriminalë që ndodhen në Spanjë dhe më pas vijnë në Shqipëri. Kemi kontigjent kriminal që njihen nga policia shqiptare, shkojnë në Spanjë dhe fillojnë e merren me trafik të lëndëve narkotike kryesisht kokainë dhe duke u mbingarkuar me një sërë konfliktesh në Spanjë vijnë dhe lëshojnë dobiçin në qytetin e Vlorës. "

Sipas Qynos, situata e trazirave që ka kaluar Shqipëria në  '97 ka ndryshuar, por zhurma e kallashnikovit e cila shfaqet herë pas here të krijon bindjen që këtu nuk ka asgjë të sigurt dhe normale.

Qyno: "Rendi sot duhet të jetë më i avancuar dhe më i sigurt. Duke qenë se Shqipëria ka kaluar një kalvar trazirash që nga '97 ku zhurma e kallashnikovëve ka qenë diçka normale unë nuk mendoj që jemi në të njëjtën situatë. Por padyshim zhurma e kallashnikovëve që të krijon bindjen që këtu nuk ka asgjë të sigurt dhe asgjë normale. Në Vlorë janë 4 persona të vrarë, ndërsa në rang republike janë 26 persona që nga fillimi i vitit. Nga këto 26, 10 janë atentate të mirë-organizuara. "

Një ditë pas atentatit në Vlorë: Plumbat kanë përshkuar murin:Nga 15, 5 plumba e goditën në gjoks e në kokë

Policia e ka të vështirë të identifikojë autorët duke marrë parasysh mënyrën si kanë vepruar për ekzekutimin e kundërshtarëve të tyre, sipas Qynos. Ai shprehet se të hetosh çështje të këtij lloji kërkon kohë.

Qyno: "Duke marrë parasysh numrin e madh të vrasje dhe metodën me të cilën kanë vepruar autorët, policia e ka pasur të vështirë të identifikojë autorët e krimit. Edhe pse ka informacione që vijnë, krijohet bindje se një person ose 2 persona mund të kenë gisht në këto ngjarje është e pamundur që të krijohen dhe të sigurohen prova për të akuzuar këto individë. Të hetosh një çështje të këtij karakteri kërkon kohë. Është e lehtë për policinë që të shkojë dhe të arrestojë një individ, por në momentin që përballen me këtë individ në Gjykatë duhet të kenë 2 ose 3 prova për t'i drejtuar gishtin."

Përsa i përket ekzekutimit të Delon Troqes Qyno shpreht se ishte një ngjarje e mirëorganizuar dhe autorët e kanë pasur në vëzhgim.

Qyno: "Delon Troqe është ruajtur në mënyrë të përpiktë nga autorët e krimit, pasi nga vëzhgimet e kamerave duket makina që është rrotulluar 2-3 herë rreth vendit ku ai po qëndronte. Duke bërë këtë siluetë lëvizjesh automjeti asnjëherë nuk ka qëndruar në mënyrë ballore para servisit të tij."

Qyno shprehet se Vlora ka qenë gjithmonë në nivelit më të lartë të kriminalitetit në Shqipëri. Prodhon rreth 4500 krime në vit. Me të njëjtën dinamikë kriminaliteti është edhe Elbasani dhe Shkodra. Situata e krimit ka dalë jashtë kontrollit dhe policia nuk është në gjendje ta kontrollojë. Revanshi i krimit është disa hapa përpara dhe policia është disa hapa prapa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat