Mbyllja e traut në dogana, shqiptarët nga veriu në jug kalojnë nga mali drejt Greqisë

Shqipëria

Mbyllja e traut në dogana, shqiptarët nga veriu në jug kalojnë nga mali drejt Greqisë

Më: 23 maj 2021 Në ora: 17:03
Foto

Mbyllja e kufirit për shkak të pandemisë i ka rikthyer shqiptarët në rrugët 30 vjeçare të malit drejt Greqisë. Banorë të Bashkisë kufitare të Konispolit po e thyejnë kufirin dy herë në ditë. Udhëtojnë së paku 1 orë e 30 minuta në këmbë për të punuar në fshatrat grekë.

"Vjen e më merr pronari direkt pa doganës. Dikush edhe nga mali."

Veç banorëve të zonave jugore, tregojnë se aty kufirin tentojnë ta thyejnë edhe emigrantë nga zona të tjera të vendit.

"Punëtorët sezonalë që shkojnë atje, dalin kontrabantë duke thyer kufirin e gjelbërt, dhe kjo është  një stërmundim shumë i madh."

Dogana e qafë Botës ku duhet të kalonin normalisht qëndron e mbyllur prej më shumë se një viti, duke penalizuar më shumë se 3000 banorë të Bashkisë me rreth 13 mijë banorë që punën e gjejnë matanë kufirit.

"Gati 3- 4 mijë persona që punojnë me kohë të plotë në Greqi dhe vijnë një herë në dy javë njëherë në tre javë. Pandemia ka ndikuar shumë te një pjesë tjetër që shkojnë dhe vijnë çdo ditë."

Ndaj tashmë që numri i infektimeve kanë rënë, kërkojnë hapjen e kufirit dhe lehtësimin e procedurave.

"Pala shqiptare duhet të kërkoj sepse interesi i krahinës dhe i gjithë vendit është që të hapet dogana."

Bujqësia e blegtoria janë bazat e ekonomisë së bashkisë së vogël krahas emigracionit. Por ky vit nuk ishte mbarë as për kultivuesit e agrumeve që ofrojnë punësim sezonal jo vetëm për banorët e zonës.

"Ne patëm dhe në kohën e prodhimit të manderinës, një goditje të madhe nga breshëri, i cili shkatërroi rreth 50% të prodhimit. Përgjithësisht në të gjithë Bashkinë e Konispolit të ardhurat kanë qenë 50% më të ulëta se një vit më parë."

Teksa mban të mbyllur kufijtë për udhëtarët e turistët shqiptarë, Greqia hapi vetëm të shtunën pranimet e punëtorëve sezonal, të cilët u la afat deri më 31 maj për të kaluar kufirin në mënyrë të rregullt.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat