Bejko komenton 4 kandidaturat për kryetar të PD-së: Shehaj vjen nga bota e biznesit

Shqipëria

Bejko komenton 4 kandidaturat për kryetar të PD-së: Shehaj vjen nga bota e biznesit

Më: 24 maj 2021 Në ora: 11:09
Roland Bejko

“Gara në Partinë Demokratike duhet të jetë e drejtë, transparente dhe e barabartë”. Kështu u shpreh sot Roland Bejko, teksa ishte i ftuar në emisionin “Breaking” në Top News.

Teksa komentonte zgjedhjet që do të mbahen brenda PD, Bejko tha se PD është një parti e hapur dhe e ka të nevojshme të rrisë besimin e të gjithë faktorëve.

I pyetur nëse ishte një surprizë kandidatura e Agron Shehajt, ai tha: “Është një figurë simpatike, person i realizuar. Një kandidaturë e mirë dhe dinjitoze përballë Bashës, por ende nuk është shumë i njohur. Nuk kam një përshtypje personale për të”, tha Bejko.

Ndërsa i pyetur nëse do të ishin zgjedhjet për kryetar partie më të barabarta nëse Basha do jepte dorëheqjen, Bejko tha: “Dje zoti Basha nuk mori pjesë në mbledhjen e kryesisë, e kjo ishte një gjë e mirë. Do doja që Basha të mos implikohet në zgjedhje. Kryetari është një figurë e rëndësishme për partinë, por më e rëndësishme është procesi dhe anëtarët e saj”.

Gjithashtu Bejko komentoi të katër kandidaturat që janë për kryetarin e Partisë Demokratike.

“Kam respekt për të katër kandidaturat, kanë gjëra të përbashkëta dhe të kundërta. Do rrimë të presim ditën kur do të prezantojnë platformën e tyre. Do përkrah atë që do më bindi se ka një ide të qartë se çfarë do bëjë për PD-në.

Basha e njeh mirë partinë, ka oratorinë, e di ku ka gabuar e këtu do nisë korrigjimin. Edith Harxhi është një zonjë ambicioze që njeh mirë marrëdhëniet ndërkombëtare. Ka bërë një përpjekje për demokratizimin e Partisë Demokratike. Kadilli është një organizatori i mirë, e njeh mire partinë, e di çfarë do partia. Shehaj vjen nga bota e biznesit”, tha Bejko.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat