Risku i lartë për naftëtarët e metalurgët, Kaja rrëfen aksidentet dhe vdekjet

Shqipëria

Risku i lartë për naftëtarët e metalurgët, Kaja rrëfen aksidentet dhe vdekjet

Më: 25 maj 2021 Në ora: 20:38
Foto ilustrim

Sot, shpresën e rimëkëmbjes së rafinerisë në agoni, e mban në jetë interesi i naftëtarëve të saj. Flasin për të si të qe një qenie e gjallë e duket sikur të kenë nënshkruar ndonjë marrëveshje reciproke, se mund të mbështeten të njëri-tjetri në kohëra të vështira. Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës për ta simbolizon historinë por edhe të ardhmen e qytetit. Siç thonë, në shumë raste ka qenë për ta “fanari”, që u diktonte të rinjve të Ballshit, rrugën e kthimit.

Dy vite pa punuar në uzinë, janë pak për të zbehur gjurmët e gazolinës në lëkurën e naftëtarëve. Shumë pak për të fshirë ndikimin që ka pasur ajo punë në shëndetin e tyre, duke provokuar një sërë sëmundjesh të rënda . Më fatlumët arrijnë të mbijetojnë me to. Ndërsa të tjerë, si bashkëshortja e naftëtarit Xhevit Agalliu, nuk ia kanë dalë.

Bashkë me punonjësit e minierave, naftëtarët janë kategoria më e rrezikuar, sipas të dhënave të ofruara për “Vetting” nga Inspektoriati i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Mesatarisht 6 prej tyre humbasin jetën në vendin e punës çdo vit. Ndërsa kushtet e vështira të punës, dhe mungesa e sigurisë edhe prej infrastrukturës së vjetëruar janë një shkas më shumë, pas 34 të aksidentuarve në vit në dy sektorët.

Një nga aksidentet më të fundit në industrinë e naftës, u shënjua këtë 3 maj në zonën e quajtur “Qafa e Kashit” në Ballsh. Në atë që duhet të ishte një operacion rutinë i pastrimit të pusit të naftës nëpërmjet pompave, ndodhi një shpërthim i depos së dekantimit, ku u lëndua punonjësi 50-vjeçar V.B. Firma private “Anio Oil” menjëherë bllokoi rrugicën për në vendngjarje, ndërkohë që punonjësit nuk pranuan asnjë lloj komunikimi me mediat.

“Është buka e gojës”, përsërisnin vazhdimisht jashtë kamerës, duke mos pritur as ata vetë asnjë lloj befasie nga rezultati i grupit hetimor, që në shumicën e rasteve, për koiçidencë është i njëjtë: aksidenti shkaktohet nga pakujdesia e punonjësve! Viktimat janë fajtorë!

Si përgjegjës për kontrollin administrativ, në rastet që hetohen, thirren nga Prokuroria dhe inspektorët e punës. Ndonëse siç tregon drejtuesi Ardit kaja, sektori i minierave dhe i industrisë së naftës janë më të saksionuarit në masën 6 përqind nga viti 2013, kundrejt 1 përqindshit që përbëjnë të gjithë sektorët e tjerë, inspektimet kanë hasur dhe në pengesa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat