Raportet e Departamentit të Shtetit Amerikan mbi Shqipërinë kanë krijuar gjithnjë zhurmë e debat. Çdo vit, aty shkruhet e zeza mbi të bardhë një panoramë e qartë mbi gjendjen e krimit, korrupsionit, të drejtat e njeriut etj mbi Shqipërinë. Sot në Tempora kemi vendosur të sjellim gjetjet kryesore të raporteve të DASH për vitet e fundit për Shqipërinë.
Në raportin e fundit të publikuar në mars të këtij Viti Departamenti i shtetit vëren me shumë shqetësim se Shqipëria nuk ka bërë asnjë përmirësim e kjo për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në raport thuhet se : “Vendi ka një ekonomi të madhe parash dhe sektor informal. Krime të mëdha që krijojnë të ardhura në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje në rrjetet që veprojnë në Evropë dhe Amerikën e Jugut”.
Mosndëshkimi i zyrtarëve dhe korrupsioni vijojnë të mbeten problem serioz për Shqipërinë. Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2020 thuhet se ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme.
“Korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, dhe zyrtarët shpesh përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar”, thuhet në raportin e DASH për vitin 2020.
Duket se korrupsioni qeveritar përmes PPP ka qenë dhe një pengesë e madhe për investitorët e huaj në Shqipëri. DASH në raportin e tij e konsideronte Shqipërinë një vend të vështirë për të bërë biznes për shkak të korrupsionit në qeveri e PPP, korrupsionin në gjyqësor apo mungesën e transparencës në prokurimet publike.
raporti i publikuar nga DASH ën 2019 kishte mjaft nota kritike mbi qeverinë shqiptare të kryeministrit Edi Rama. Dash e konsideronte vendin tonë si më të korruptuarin në Ballkan, ndërsa me shumë shqetësim shihej gjendja e kriminalitetit në vend, zbatimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe e drejta e pronës.
Në raport thuhet: Raportimet për korrupsion në prokurimet e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (3P) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë. Indeksi i Transparency International i Perceptimit të Korrupsionit e rënditi Shqipërinë në vendin e 99 nga 180 shtete, një rënie prej tetë vendesh nga viti 2017. Rrjedhimisht, Shqipëria tani perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor.
Edhe në 2018 Shqipëria nuk bëri asnjë hap pozitiv në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Në raport e publikuar në korrik të 2018 për Shqipërinë renditen mjaft problematika, ku më e theksuar është korrupsioni. Në raport thuhet se investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme me të cilat vazhdon të përballet Shqipëria.
“Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjeguara, por investitorët e huaj e perceptojnë klimën e investimeve si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes”, thuhet të raportin e DASH për 2018.
Korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë, krimi, kufizimi i lirisë së shprehjes ishin sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, problemet kryesore në raportin e vitin 2017 për Shqipërinë.
Në raport thuhej se: Ndjekja penale dhe veçanërisht gjetja fajtorë e zyrtarëve që kanë kryer shkelje ishte sporadike. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ishin shpesh në gjendje të shmangnin ndjekjen penale. Gjatë vitit 2017 “korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes në Shqipëri.
Në 5 vitet e fundit, siç vërehet nga gjetjet në raportet e DASH, Shqipëria është një nga vendet më problematike në Ballkan sa i përket Korrupsionit në instancat më të larta qeveritare, krimi, gjyqësori si dhe një klimë shumë e vështirë i të bërit biznes pikërisht për shkak të këtyre fenomeneve. Megjithatë edhe pas gjithë këtyre gjetjeve problematike, sot ende nuk kemi një zyrtar të lartë që është hetuar apo ndjekur penalisht.