Berisha "non grata", pse jo Rama? Demalia: SHBA-të nuk mund të bëjnë grusht shteti, PS po nxitohet me Presidentin

Shqipëria

Berisha "non grata", pse jo Rama? Demalia: SHBA-të nuk mund të bëjnë grusht shteti, PS po nxitohet me Presidentin

Më: 29 maj 2021 Në ora: 22:34
Ilir Demalia

Çështjet më të nxehta të aktualitetit politik ishin në fokus të analizës së publicistit Ilir Demalia në një intervistë nga SHBA për Rtv Ora.

Për gazetaren Besmira Pelushaj ai thotë se e sheh nismën e mazhorancës për shkarkimin e Metës të nxituar dhe një hakmarrje politike dhe pse në gjykimin e tij në aspektin moral dhe etik ai ka dalë totalisht jashtë kornizave të Presidentit.

Sipas tij, vendit i duhet një drejtësi e pavarur dhe jo një "kokë turku", qofshin këta Berisha apo Meta.

Lidhur me garën për zgjedhjen e kreut të PD,  Demalia thotë se nuk ka garë.

Meta, drejt shkarkimit

Dukshëm është një goditje e qëllimshme e pozitës për të eleminuar presidentin. Nuk është fjala të mbroj presidentin sepse me syrin e një vëzhguesi presidenti në aspektin moral dhe etik ka dalë komplet jashtë kornizave të presidentit por a përbëjnë këto shkelje ligjore për shkarkimin e presidentit? Nuk e di. A është kjo e nxituar dhe pa sens kur flasim për një parlament të gjymtuar deri dhe ilegjitim sepse nuk ka kuorumin e duhur që duhet të ketë parlamenti 140 vetë, unë them që po. A mund të krijojë kjo një precedent të keq për të ardhmen apo të do të vendosë drejtësi?

Prapë them që është shumë e nxituar sepse drejtësia e njëanshme sjell padrejtësi. Problemi është të gjejmë ekuilibrat e drejtësisë, politikës dhe shoqërisë. Punë e madhe se po e godasim, po e çojmë dhe në burg Ilir Metën. A do të zgjidhë kjo në të ardhmen vendosjen e drejtësisë kur të tjerët nuk ndëshkohen? Duhet marrë më me qetësi. Shkeljet morale dhe shkeljet ligjore janë dy gjëra krejt të ndryshme. Në terësinë e vet më duket shumë e nxituar sepse ndoshta do të shkojmë deri aty sa të heqim presidentin, të marrin edhe presidentin këta dhe pastaj presidenti do të jetë i lirë.

Precedenti me shkarkimin e Presidentit çfarë klime politike sjell?

Nuk më vjen keq fare për presidentin, i meriton të gjitha. Presidenti dhe të gjithë të tjerët që kanë qenë këto 30 vjet në krye të shtetit. Kanë bërë masakër, duke përfshirë dhe kryeministrin aktual, nuk është burrë më i mirë bashkë me kryetarin e bashkisë. Problemi është a do të vazhdojmë me politika revanshi siç bëri Berisha në 1996, 2005, 2008, apo do të fillojmë të ndërtojmë sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe funksionimin e demokracisë? Shqipëria sot është një humnerë, opozita pretendon se janë vjedhë zgjedhjet dhe nuk ka demokraci.

Por a ja bën pyetjen vetes opozita, e cila pretendon të funksionojë si demokraci dhe të ketë zgjedhje të lira, a ka funksionuar kjo opozitë e tillë brenda partisë dhe a po funksionon në këtë moment e tillë? Shihni në çfarë gjendje është opozita sot, është në gjendje të mjerë. Mënyra si po funksionon, mënyra si bëhen zgjedhjet, nuk ka pasur garë.Mund të më thotë dikush se nën regjimin e Berishës PD ka funksionuar si Parti Demokratike?

Unë mendoj që jo. Të gjitha këto janë pasoja. Nuk po del dikush që të krijojë një frymë të re, këtë nuk mund ta krijojë Lul Basha. Thonë Berisha, figurë historike. Figurë historike është dhe Sadam Hyseini, edhe Enver Hoxha, por çfarë figure është? Përderisa këta nuk ndahen dot nga Berisha dhe berishizmi tregon që kjo parti nuk ka asnjë perspektivë për të funksionuar si parti e liberaldemokracisë, të funksionojë me garë dhe të ndërtojë struktura që të krijojë një atmosferë.

Çfarë përfaqëson PD sot? Nuk e di. E djathtë? Unë mendoj që jo sepse djathta fillon me pronën. Kjo parti e ka shkelur e para pronën me ligjin 7501 dhe nuk e ka abrovuar kurrë këtë ligj.Kanë rëndë dakord të dy palët që të vjedhin pronat publike, të zaptojnë pronat e pronarëve që ishin para luftës siç është rasti i Fushës së Aviacionit që ka marrë dhëndri i Sali Berishës. Ajo fushë është blerë nga italianët, ka qenë pronë e shitur.

Kapitulloi Italia dhe i mbeti shtetit, pse duhet ta marrë dhëndri i Sali Berishës? Edhe nga krahu tjetër. Më e rëndësishme se për të eleminuar një kundërshtar është të ngrihen plintet e një drejtësie të pavarur. Deri në këtë moment unë nuk mendoj se janë. Nëse do të bëhet një "kokë turku", Sali Berisha apo Ilir Meta kjo nuk është e rëndësishme për zhvillimin e demokracisë. Ata duhet të ndëshohen përmes një drejtësie të pavarur. Se është bërë person non grata, punë e madhe.Duhet të krijojmë precedentin e ndëshkimit.Politikanët shqiptarë historikish kanë bërë çfarë kanë dashur, kanë vjedhur, kanë vrarë, kanë prerë, kanë masakruar dhe në fund kanë ikur pa ju hyrë ferrë në këmbë.

Shpallja non grata e Berishës nga DASH

Edhe për shpalljen non grata të Berishës që unë mendoj se duhet të jenë edhe shumë të tjerë. Edhe ambasadorja amerikane tha janë 250, unë them 2500. Qytetarët i dinë, njerëzit që kanë punuar në administratë i dinë. Dua të krijohet drejtësia e plotë dhe të ndëshkohen të gjithë sipas asaj që kanë abuzuar me pushtetin apo kanë shkatërruar kolonat e shtetit si drejtësia.

Akuzojnë Berishën për ndërhyrje në drejtësi, jam plotësisht dakord. Berisha ka krijuar precedentin e manipulimit dhe masakrës zgjedhore, por a e ka bërë Rama këtë? A janë përgjimet? Pse u hoqën dosjet e Durrësit dhe Dibrës? Një drejtësi duhet të jetë e barabartë. Prapë drejtësia varet nga politika dhe i shërben politikës, këtu nuk kemi të bëjmë me drejtësi.

Pse jo dhe Rama non grata?

SHBA-të nuk mund të bëjnë grusht shteti në Shqipëri që të heqin gjithë qeverinë dhe do të bënin mirë ta bënin, të vendosnin një qeveri ndërkombëtare në këtë gjendje që është Shqipëria sot. Ajo çka po ndodh në Shqipëri është se ka humbur besueshmëria tek njerëzit, kur arrijnë të thonë të dy janë njësoj. Prandaj duan të largohen të gjithë. Amerika ka dhënë një sinjal, tani të funksionojë drejtësia. Se sa do të funksionojë drejtësia, sa e pavarur do të jetë… Nëse do të bëjë "gjueti shtrigash" nuk është drejtësi por hakmarrje që nesër do të kthehet në bumerang. Duhet balancë në të dy krahët.

Hapja e dosjeve të bujshme, Gërdeci dhe 21 Janari

Absolutisht jam dakord që duhet të hapet Gërdeci dhe duhet të ndëshkohen dhe jo vetëm Sali Berisha, se nuk i ka bërë i vetëm këto punë, po Fatmir Mediu, po Rruga e Kombit që është Lulzim Basha? I kanë mbyll këto akuza me kalim afati. I bëjnë për budallenj njerëzit këta që kanë blerë apartamente dhe në Nju Jork? Sikur 10% të jenë të vërteta ato çfarë fliten për korrupsion, për abuzim me pushtetin nga të gjithë palët politike, përfshirë edhe Fatos Nanon që ka vilën në Vjenë. Ata që dalin jashtë skene dhe nuk e bezidisin politikën aktuale i harrojnë shqiptarët, kjo kulturë i ka çuar këtu që vijnë dhe vjedhin prapë, i përdorin shqiptarët si kavje.

Absolutisht duhet të hapet dhe 21 janari dhe të shihet nga të dy krahët, si e përdori Edi Rama, si reagoi Sali Berisha. Ka përgjegjësi dhe Edi Rama aty për atë gjendje. Duhet të hapet vrasja e Azem Hajdarit, është i vrarë si hero apo për trafiqe?Ambasada amerikane e di shumë mirë se ka kabllogramet. Është një mal i madh dosjesh që nuk mund të bëhet për një ditë por duhet të fillojë dhe që ka filluar shumë mirë, si do të vazhdojë, do të shtrihet në gjerësi apo vetëm në një drejtim, kjo mbetet për tu parë.

PD zgjedh kryetarin, a ka garë dhe kush rrezikon më shumë Bashën?

Nuk mendoj se aty ka garë. Të gjithë ata që pretendojnë të marrin kryetarin e partisë në mendimin tim janë njerëz që nuk kanë as karizma, as vlera, as popullaritet. A i ka Basha? As Basha nuk i ka. Fakti që bëri 8 vjet kryetar i partisë dhe nuk ka arritur të ketë një rezultat pavarësisht asaj që pretendojnë ata dhe qëndron ajo që pretendojnë, që na kanë masakruar zgjedhjet, por jo deri në atë pikë sa thonë.

Vaji i përditshëm që na i kanë vjedhur, na i kanë vjedhur, është bërë i bezdisshëm. Nëse flasim për institucione duhet tu nënshtrohemi institucioneve. Nëse OSBE-ODIHR i njeh zgjedhjet atëherë duhet ti pranosh me defektet që ka dhe të vazhdosh të luftosh për tu përgatitur për zgjedhjet e tjera. Por po vazhdove të qash këngën e kukuvajkës siç ke bërë 8 vjet, prapë në zgjedhjet e tjera do të jesh i humbur.

Jeta nuk është e drejtë thotë Kenedi, jeta është e padrejtë dhe ti duhet të veprosh në këtë padrejtësi, asgjë nuk ka perfekte në këtë botë. Jo se pozita është në gjendje më të mirë, nesër po të humbë Rama zgjedhjet dhe largohet, në këtë vakum do të jetë dhe pozita. Këta nuk kanë menduar për të ngritur vlerat demokratike, vlera gare, shtetin e së drejtës, institucionet e pavarura. Këtë luftë e kemi gjatë gjithë historisë. Kjo është psikologjia dhe kultura e politikanëve shqiptarë që vijnë si sundimtarë dhe mendojnë se ata janë të dërguarit e Zotit për të sunduar shqiptarët dhe për të përdorur Shqipërinë dhe shqiptarët si tu dojë qejfi atyre.

Kudo politikanët pasurohen në botë, edhe këtu bëjnë ndonjë dallavere të vogël, por jo si këta. Këta janë përbindësha. Nuk e kuptoj, që nga i pari në '92 dhe deri sot, si kanë fytyrë dhe dalin në rrugë, populli duhet ti pështyjë kur ti shohë, majtas dhe djathtas, aq të neveritshëm janë bërë, aq zullumeve kanë bërë. Kanë fytyrë dhe dalin e bëjnë moral, nuk e di! Qenka popull i mirë shumë. Revolucionet në botë janë bërë nga padrejtësitë, kjo është një padrejtësi e tmerrshme. Politikanët shqiptarë nuk bëjnë garë si të qeverisin, por kush ka më shumë pasuri, kush do të pasurohet dhe rrëmbejë më shumë.

Sa shanse ka për një marrëveshje bashkëqeverisje PD-PS?

Nuk më intereson marrëveshja e tyre, e kanë bërë që në '92. Fakti që këta rrinë të njëjtët njerëz dhe riciklohen të njëjtët njerëz, këta kanë një marrëveshje për të krijuar një imazh demokratik, janë pasuruar, pazare kanë bërë bashkë, pijnë kafe bashkë, zihen si qentë e rrugëve në parlament për të treguar se këta janë armiq të mëdhenj me njëri-tjetrin dhe fakti se nuk është ndëshkuar askush deri më sot tregon se çfarë janë këta. Nëse këta bëjnë marrëveshje për qeveri teknike për mua nuk ka asnjë rëndësi dhe nuk habitem.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat