Ringrihen shkollat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, Rama dhe Soreca inspektojnë punimet në Laç

Shqipëria

Ringrihen shkollat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, Rama dhe Soreca inspektojnë punimet në Laç

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 13:47
Edi Rama

Përveç banesave individuale dhe atyre kolektive, edhe institucionet arsimore po ringrihen ditë pas dite, më të forta e më të mëdha se ato që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Dy të tilla janë shkollat “Gjokë Elezi” dhe “Demokracia” në Bashkinë Kurbin, të cilat Kryeministri i vizitoi sot, për të parë nga afër ecurinë e punimeve, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe nga ambasadori i Delegacioni të KE në Shqipëri, Luigi Soreca. Të dy këto shkolla po rilindin pas tërmetit me kontributin financuar të Bashkimit Europian. “Gjokë Elezi” është shkolla 9-vjeçare më e madhe në rreth, e cila falë Programit të Rindërtimit, nga dy godina të ndryshme ku zhvillohej mësimi, i ndarë sipas cikleve, do të mundësojë zhvillimin e procesit arsimor në një godinë të vetme nga cikli fillor deri në atë 9-vjeçar.

“Dy shkollat po rindërtohen në sajë të Programit të financuar nga BE-ja. 75 milionë euro për më shumë se 60 shkolla dhe janë të gjitha këto fonde që janë dhuruar nga Komisioni Europian. Sot kemi ardhur tek shkolla e dytë, e cila po ndërtohet nga fillimi dhe po vlerësonim pikërisht cilësinë e ndërtimit dhe ky është solidariteti i BE-së për Shqipërinë në formë konkrete, me anën e këtyre fondeve që janë dhuruar për më shumë se 25 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Europa është këtu!”, u shpreh ambasadori Soreca.

Shkolla e re “Gjokë Elezi” është ndërtuar në një truall prej rreth 5400 metrash katrorë dhe do të ketë 28 klasa dhe ambiente laboratorike.

“Shkolla ku jemi këtu është pjesë e fazës së dytë. Jemi drejt finalizimit të fazës së parë me fondet e qeverisë e tani jemi në fazën e dytë me fondet e BE-së, për të vazhduar të ndërtojmë shkolla me një cilësi të lartë që nuk kanë asgjë më pak sesa shkollat e mira në vendet e BE-së. Elementi që doja të sillja në vëmendje është se përveç të tjerave, shkollat e reja janë shkolla me eficiencë energjetike, që garantojnë kursim energjie dhe njëkohësisht, një mikroklimë shumë më të këndshme, qoftë në verë ku ambientet janë më të freskëta, qoftë në dimër ku ambiente janë më të ngrohta. Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë partnerët tanë dhe posaçërisht mikun tonë, ambasadorin e Bashkimit Europian”, u shpreh Kryeministri Rama.

Në Kurbin janë 4 shkolla dhe 2 kopshte që do të ndërtohen me fondet e Bashkimit Europian. Një ndër to është edhe shkolla “Demokracia”, me 16 klasa, që do t’i shërbejë rreth 150 nxënësve. Shkolla “Demokracia” është me lotin e parë të grantit të dhënë nga Komisioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat