Hetim disiplinor për Luan Dacin, nga Ardian Hajdari te Ina Rama, kush janë gjyqtarët që do ta kalojnë në “filtër”

Shqipëria

Hetim disiplinor për Luan Dacin, nga Ardian Hajdari te Ina Rama, kush janë gjyqtarët që do ta kalojnë në “filtër”

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 13:50
Foto

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka regjistruar procedimin disiplinor me kërkues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci.

Me 1 qershor KPA ka hedhur shortin për caktimin e gjyqtarit hetues dhe më pas, për caktimin e Komisionit Disiplinor dhe kryesuesin e komisionit që do të shqyrtojë çështjen (JD) nr. 5/2021, datë 31.05.2021.

Pas hedhjes së shortit, gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa Komisioni Disiplinor do të kryesohet nga Natasha Mulaj dhe anëtare do të jenë Albana Shtylla dhe Ina Rama.

Daci akuzohet se ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit për pozicionin në KPA, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme nëpërmjet mosdeklarimit të një mase disiplinore për largim nga puna të vitit 1997.

Ai u dënua më 1 dhjetor 2020 nga Gjykata e Posaçme me 6 muaj burg dhe pezullimin e këtij dënimi me 1 vit, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të paraqitet pranë Shërbimit të Provës.

Pas lënies në fuqi të dënimit nga Apeli, Daci e konsideroi vendimin të kundraligjshëm dhe paralajmëroi se do ta vazhdonte betejën në Gjykatë të Lartë.

Luan Daci u hetua nga SPAK pas denoncimit të kryer nga ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani. Një kallëzim i dytë për të njëjtën vepër penale u dorëzua ndaj tij ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla.

Prej korrikut 2020, ai është pezulluar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në pritje të vendimit të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat