Analisti Çipa: Gara midis konkurrentëve për kryetar të PD-së është e pabarabartë, Basha i favorizuar

Shqipëria

Analisti Çipa: Gara midis konkurrentëve për kryetar të PD-së është e pabarabartë, Basha i favorizuar

Më: 8 qershor 2021 Në ora: 23:43
Aleksandër Çipa

Analisti Aleksandër Çipa e cilësoi si të pabarabartë garën midis konkurrentëve të PD-së për kryetarë partie dhe tha se pretendimi për masakrën zgjedhore ndodhi vetëm për të mbuluar atë çfarë po ndodhte brenda partisë.

“Gara, mendoj se është e pabarabartë dhe vetë PD e mbajti një kauzë të pretendimit të masakrës zgjedhore, më shumë si një mbulesë për atë që ndodhte për procesin e brendshëm, se sa për një ripozicionim politik përballë kundërshtarit, që rezulton ë jetë fitues mandatit politik”, u shpreh z. Çipa.

Aleksandër Çipa tha për Lulzim Bashën se është më i favorizuar se konkurrentët e tjerë, për shkak se si është aktualisht struktura e PD-së.

“Kryetari aktual, edhe pse ka qenë në një farë pozite, është më i favorizuar ndër kandidatët sepse duhet ta pranojë se ka në dispozicion një infrastrukturë më favorizuese se konkurrentët e tjerë”, u shpreh Aleksandër Çipa.

Analisti Çipa tha se zgjedhjet e PD-së janë të nxituara, pasi u vendos të bëheshin me datë 14 qershor në momentin që ende nuk ishin certifikuar zgjedhjet. Për z. Çipa, prioritet duhet të ishte qartësimi i situatës së zgjedhjeve të 25 prillit, ku PD dhe parti të tjera të opozitës pretenduan se kishte masakër zgjedhore.

“Kur ende nuk ishte mbyllur procesi zgjedhor dhe nuk ishte certifikuar, kur ende opozita kishte nevojë të qëndronte në krye të detyrës në raport me ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor, besoj se ishte e parakohshme ngutja për një garë për zgjedhjet”, tha analisti.

Aleksandër Çipa tha se fakti që janë katër kandidatë në betejën për kryetarin e ri të PD-së, është një gjë pozitive, por në raportin e bashkë-konkurrimit ka disnivele dhe disavantazhe për tre kandidatët e tjerë, veç z. Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat