Basha në Tiranë: 25 prilli ose është masakër zgjedhore ose fitore e Ramës, bashkë nuk shkojnë

Shqipëria

Basha në Tiranë: 25 prilli ose është masakër zgjedhore ose fitore e Ramës, bashkë nuk shkojnë

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 17:06
Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, këtë të mërkurë ka zhvilluar takim me qytetarët në degën 4,5,8,9 në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij Basha tha se Partia Demokratike është e vetmja parti e cila do të sjellë ndryshimin për shqiptarët.

“25 prilli ose është masakër zgjedhore ose është fitore e Edi Ramës dhe humbje e Partisë Demokratike.  Të dyja bashkë nuk mund të jenë. Ndaj në 13 qershor sigurisht vota është për kryetarin e Partisë Demokratike, fleta e votimit nuk është referendum për këtë pyetje, por për fat të keq po kthehet edhe në referendum për këtë pyetje.

Se si do ti përgjigjemi kësaj pyetje përcakton rrugën, aksionin tonë politik dhe përcakton kohëzgjatjen dhe fatin e kësaj beteje, jo thjeshtë për ne, s’bëhet fjalë thjeshtë për ne, bëhet fjalë për Shqipërinë dhe shqiptarët deri në 25 prill na ndoqën dhe na besuan për 25 prillin”, tha Basha.

“Jemi parti e shqiptarëve dhe për shqiptarët”, kështu  u shpreh Basha, ndërsa ritheksoi edhe një njëherë se zgjedhjet e zhvilluara më 25 prill nuk ishin gjë tjetër veçse një masakër zgjedhore.

Pjesë nga fjala e kryedemokratit Basha:

Bashkimi i demokratëve ishte paranteza dhe themeli i një bashkimi më të madh që ka ndodhur ndonjëherë në këto 30 vite dhe se kam fjalën thjeshtë për koalicionin tonë i cili me të vërtetë është më i madhi i 30 viteve. E kam fjalën për atë bashkim, për atë aleancë vlerash që krijuam me qytetarët shqiptarë i cili mori formë përmes programit tonë.

Po kështu, unik për nga zgjidhjet që ofroi, cilësia e tyre, vërtetësia e tyre, realizmi i zbatimit të tyre, buronin në radhë të parë nga fakti se vinin si produkt jo vetëm i një ekipi dhe i një pune dy vjeçare por mbi të gjitha i prekjes së problemeve derë më derë, shtëpi më shtëpi, biznes më biznes, fermë më fermë, grup interesi pas grup interesi dhe jo thjeshtë prekjes dhe njohjes së tyre që është detyra e parë e çdo organizate politike por e ndjerjes së dhimbjes dhe vuajtjeve që ky regjim ua ka shtruar në çdo sofër shqiptarëve.

Dhe së treti, qëndrimi besnik ndaj vlerave tona i cili kurrë nuk ka qenë më sfidues se në këto palë zgjedhjeve. Kurrë nuk ka qenë më sfidues, thirrja, tundimi për të mos iu dorëzuar anti-vlerave. Dega 5, Tirana dhe e gjithë Shqipëria, demokratët dolën në këtë betejë  me njerëz të vlerave, me program, me vizion, me bashkim. Përballë kishim njerëzit e antivlerave, ikonat e korrupsionit dhe të krimit, lista të diktuara jo nga Partia Socialiste por nga krerët e kartelëve të drogës, nga oligarkët dhe shërbëtorët e tyre.

Përballë kishim thasët me para të taksave të shqiptarëve pra, të buxhetit të shtetit të abuzuar në mënyrën më të kundraligjshme me të gjitha format dhe mënyrat që mund të përfytyronim madje edhe mënyrat që si kishim përfytyruar më parë që nga legalizimet për vota,tek ndërtimet pa leje për vota, tek përdorimi i infrastrukturës së asistencës sociale apo pensioneve apo dhe vetë ambulancave për shpërndarjen e parave për votat tek paralizimi në rastin më të mirë i policisë për të parandaluar krimin bashkë me prokurorinë dhe rastin më të keq përdorimi i tyre për të mbuluar apo mbrojtur autorin e krimeve zgjedhore  përballë pra, këtyre antivlerave, ju demokratët e degës 5, demokratët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë u përgjigjët vetëm me vlera.

Në bindjen time fakti që shqiptarët na ndoqën përkundër kësaj masakre zgjedhore nuk qëndron tek vetëm këto 3, por qëndron mbi të gjitha tek i njëjti faktorë që për mua diferencon partinë demokratike nga simotrat e zhdukura apo në prag të zhdukjes dhe ky është fakti që ne nuk kemi bërë asnjë çast kompromis me të keqen. Ky është fakti që ne kemi vite që bëjmë betejë me të keqen, ky është fakti që ne nuk jemi dorëzuar asnjëherë para të keqes dhe nuk kemi pranuar të bëhemi fasadë e saj.

Ky është fakti që shqiptarët na besuan, sepse besuan se përmes sakrificave dhe betejave që na çuan tek beteja e 25 prillit, përballë kishin njerëz që këtë betejë nuk po e bënin as për karrigen time, as për karriget tuaja, por po e bënin për të njëjtën arsye që lindëm, për të njëjtën arsye që jemi, e që dolëm nga kjo masakër më të fortë e më të mëdhenj, e për të njëjtën arsye që do të vazhdojmë e do të jemi e do të fitojmë sepse jemi parti e shqiptarëve dhe për shqiptarët. Jemi parti e shqiptarëve dhe për shqiptarët, gjithçka që e bëjmë, e bëjmë për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat