Rama thotë se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë: S’ka asnjë minutë të humbur

Shqipëria

Rama thotë se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë: S’ka asnjë minutë të humbur

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 07:01
Edi Rama

(E plotësuar 14:32) - Pyetjes nëse Shqipëria do të penalizohet sërish në procesin e hapjes së negociatave, kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke thënë se nga ana jonë nuk ka asnjë minutë të humbur në këtë proces dhe në lidhje me këtë duhet pritur vendimi i Këshillit të Europës.

“Për sa më takon përgjigja ime mbetet po ajo që ka qenë. Ne e para ka rëndësi që detyrat tona t’I bëjmë plotësisht. Nuk i bëjmë se na i kërkon Brukseli apo Haga por sepse na i kërkon detyrimi ndaj fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm.

Detyrat e shtëpisë së BE janë rruga për të modernizuar shtetin tonë dhe për ta bërë Shqipërinë europiane në sistemin e saj të drejtësisë, të përgjithshëm demokratik në sensin në çdo element. Për sa kohë Komisioni Europian prej tre vitesh na ka thënë se detyrat i keni bërë si duhet dhe i ka kërkuar Këshillit Europian të pranojë dhe të hapë më tutje fazën e tjetër të procesit.

Këshilli ka pasur arsyet e veta që nuk kanë lidhje me ne., Sot nuk ka kontestim për detyrat tona pork y është një rast për të mësuar Europën dhe rrugën e futjes në këtë familje të madhe, Ka një ngërç mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe mënyra si funksionon sistemi kërkon që ky ngërç të zgjidhet para se të vazhdojë procesi.

Nuk kemi asnjë lloj shqetësimi për të thënë se po sakrifikohemi. Ne këtu jemi me BE dhe po vazhdojmë punën për të përmirësuar të ardhmen edhe nga pikëpamja e legjislaturës dhe ekonomisë. Ka një pyetje deri kur vazhdon kjo histori sepse kemi parë sa shumë u zgjat një tjetër histori. Kësaj pyetje nuk ia kërkojmë përgjigjen sot. Të presim mbledhjen e këshillit. Nuk ka asnjë minutë humbur nga ana jonë. Kjo ka rëndësi”, tha Rama.

Ndërsa Oliver Varhelyi deklaroi se ky është qershori i vendimeve dhe palët po punojnë fort për të gjetur zgjidhje.

“Ky muaj është kritik. Është qershori i vendimeve, Ne po punojmë fort. Kjo është periudha e diplomacisë së heshtur që ne të gjejmë zgjidhje. Presidenca e BE është e përkushtuar për të gjetur zgjidhje. Ne jemi të angazhuar dhe duam që kjo gjë të ndodhë”, tha komisioneri.

Rama konferencë me Varhelyi: E hoqi maskën e Brukselit në Tiranë, karta e gjelbër të na njihet në BE

Me një batutë e ka nisur kryeministri Edi Rama konferencën për shtyp me komisionerin e BE për zgjerimin Oliver Varhelyi. Rama u shpreh se është i lumtur që ai e hoqi maskën e Brukselit në Tiranë.  Rama deklaroi se i kanë kërkuar BE që karta e gjelbër digjitale e Ballkanit të njihet edhe BE.

“Dua të falënderoj të gjithë. Në këndvështrimin tim është arsye e veçantë. Jemi mbledhur për të shtyrë përpara një proces që nuk ka rëndësi si e quan njëri apo tjetri por të çojë përpara jetësimin e katër lirive të Europës në rajonin tonë.

Ky proces është i mbështetur në një paketë financiare në kuadrin e një plani ekonomik dhe investimesh të BE që për nga volumi i fondeve të vëna në dispozicion të bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, portuale të inter-konektivitetit dhe gjithë sektorit të energjisë, përbën lëvizjen më të madhe historike të BE në drejtim të Ballkanit Perëndimor.

Ishte një kënaqësi sepse më në fund takimi nuk ishte virtual. Sepse ne kemi mundësi të mikpresim miqtë tanë pa masa shtrënguese dhe besoj se edhe komisioneri ndihet mirë që maskat e Brukselit i hoqi në Tiranë. Planet e punës janë konkrete, Ky është një ndër ato momente kur BE e ka bërë të veten. Na takon ne të bëjmë tonë. Ne kemi qenë që në fillim dhe mbetemi të palëkundur në bindjen tonë se projekti i shengenit rajonal është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme, ekonomike, sociale dhe politike për të gjithë rajonin tonë.

Më vjen mirë që sinergjia e këtij vizion me BE është e plotë. Jemi në kushtet kur po e zotërojmë procesin e Berlinit dhe shpresojmë të kalojnë në duart e komisionit europian që takimi i 5 korrikut të jetë i fundit në formatin e deritanishëm dhe vitin e ardhshëm të bëhet nën kujdesin e Komisionit. Kjo është një ambicie e jona që e ndajmë me komisionerin. Ne ndërkohë kemi vendosur paralelisht me çfarë lidhet me programet edhe një sërë pikash ambicioze për të ndërlidhur progresin e bërë së brendshme në rajonin tonë me vetë mënyrën e funksionimit.

Nëse ne këtu bëjmë hapa në drejtim të jetësimit të katër lirive të BE, ambicia është ta na njihen këto hapa edhe nga BE. Në aspektin e qeverisjes, mundësive nga pikëpamja e aktivitetit ekonomik. Ne brenda rajonit por përpara dy ditësh edhe me Hungarinë në mënyrë bilaterale kemi rëndë dakord për lëvizjen e lirë pa detyrime ekstra. Sot të gjitha vendet i kanë paraqitur KE dhe BE kërkesën që karta e gjelbër digjitale e qytetarit të një vendi të rajonit tonë në aspektin e sigurisë shëndetësore të njihet në BE”, tha Rama. 

***

Ditën e sotme në Tiranë zhvillohet Samiti i Ballkanit Perëndimor, që mbledh në kryeqytetin shqiptar drejtuesit më të lartë të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.  Shqipëria është mikpritësja e samitit të radhës i cili zhvillohet në Pallatin e Brigadave. Samiti drejtohet nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Mediat maqedonase kanë zbardhur fjalën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë.

Fjala e Zaev:

“Plani ekonomik dhe investues i BE-së për Ballkanin Perëndimor e mbështet rimëkëmbjen afatgjate ekonomike të rajonit, njëkohësisht duke nxitur integrimin rajonal. Zbatimi i Planit do të stimulojë aktivitetin ekonomik, do të rris investimet në sektorin privat dhe publik, do të përforcojë konkurrencën dhe inovacionet, veçanërisht në kompanitë e vogla dhe të mesme.

Vullneti ynë është nxitja e zhvillimit të kapaciteteve me energji të ripërtërishme dhe kalim nga qymyri në burime të ripërtërishme të energjisë, rritje të efikasitetit energjetik, ulje të emetimeve të  gazeve serrë dhe përmirësimin e infrastrukturës për menaxhim me ujërat e zeza. Gjatë këtyre periudhave sfiduese, të gjitha vendet nga rajoni punojnë në vendosjen e tregut të përbashkët rajonal.

Harmonizimi i ngushtë i rregulloreve të Ballkanit Perëndimor me parimet themelore që rregullojnë tregun e brendshëm të BE-së, bazuar në qasjen e katër lirive përmes marrëveshjeve për njohje reciproke, do të zhvillojë mundësitë për punësim sepse liberalizimi i tregtisë, rrjedha e kapitalit dhe lëvizshmërisë do të sjellin deri në zgjerimin e tregut. Plani ekonomik dhe investues do ta bëjë rajonin më tërheqës për investitorët e huaj dhe do të mundësojë më shumë të hyra të investimeve.

Me zbatimin e Tregut të përbashkët rajonal krijojmë vende më të mira të punës, zgjedhje të shkëlqyer të çmimeve më të ulëta për udhëtim, studim dhe punë afariste në rajon, më lehtë dhe pa pengesa. Me treg të integruar sjellim rritje plotësuese të PBB-së në rajon sepse bashkë jemi më të fortë, gjë që e bën Ballkanin Perëndimor më tërheqës, më konkurrues dhe më afër tregjeve të BE-së.”- tha Zaev.

Edi Rama pret kryeministrin Kurti - shfaqen të buzëqeshur në krah të njëri-tjetrit

Tirana këtë të enjte është shndërruar “kryeqendra”, e Ballkanit Perëndimor ku liderët e vendeve janë bërë bashkë në Samitin e organizuar në vendin tonë.

Pjesë e këtij samiti është edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili ëhstë pritur në hyrje të pallatit të Brigadave nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Shqipëria është këtë herë mikpritësja e samitit të radhës i cili zhvillohet në Pallatin e Brigadave, ku pjesë do të jenë liderët e Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.

Ndërkohë drejtimi i këtij Samiti do të bëhet nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Më herët në pallatin e Brigadave kanë mbërritur edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhely, kryeministrja e Serbisë  Ana Brnabiç, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Zoan Zaev, Presidenti i Malit të Zi Milo Đukanoviç dhe Zoran Tegeltija, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës.

***

Në cilësinë e të “zotit” të shtëpisë, kryeministri Edi Rama ka hapur samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Rama u shpreh se pjesëmarrja e liderëve të Ballkanit në këtë samit është shenjë e qartë e zbatimit të planit të BE-së dhe tregut të përbashkët rajonal.

Ai theksoi se ky samit është një instrument kyç që do të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë për të shkuar drejt rritjes së qëndrueshme.

“Nisim seancën e punës. Faleminderit që pranuar ftesën në një kohë kaq të shkurtër dhe jam I lumtur t’ju uroj mirëseardhjen. Pjesëmarrja juaj është një shenjë e qartë e vullnetit tonë për të marrë autorësi rajonale të zbatimit të planit të BE-së dhe tregut të përbashkët rajonal.

Jam shumë mirënjohës komisionerit të BE që e nisi dhe e promovoi këtë plan të madh si një instrument kyç që do të na ndihmojë të rimëkëmbemi ekonomikisht në një kohë post-pandemike dhe të shkojmë drejt rritjes së qëndrueshme e të ndërtojmë mbi tranzicionin e gjelbërt dhe digjital”, u shpreh Rama.

Pas hapjes së samitit, takimi vijoi me fjalën e komisionerit europian pa praninë e kamerave.

***

Komisionerin Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi ndodhet sot në Tiranë në kaudër të samitit me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Várhelyi, i cili do të jetë drejtues i samitit së bashku me kryeministrin Edi Rama ka zhvilluar një takim mëngjesin e sotëm me këtë të fundit. Komisioneri bën  të ditur se do të diskutojnë për planin ekonomik të rajonit.

“Përpara Samitit të Tiranës me drejtuesit e Ballkanit Perëndimor u takova me Kryeministrin Edi Rama. Sot do të diskutojmë zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve, të paraqitur për rajonin nga Komisioni Europian si dhe shikojmë përpara për në Samitin e Procesit të Berlin me udhëheqësit e rajonit në 5 korrik,” shkruan Várhelyi në rrjetet sociale.

***

Kryeministri Edi Rama ka pritur mëngjesin e sotëm Komisionerin Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi.

Komisioneri ka mbërritur sot në Tiranë në kuadër të samitit te liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria është këtë herë mikpritësja e samitit të radhës i cili zhvillohet në Pallatin e Brigadave, ku pjesë do të jenë liderët e Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.

Ndërkohë drejtuesit e Samitit do të jenë kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

​Sot në Tiranë mbahet Samiti i Krerëve të Ballkanit Perëndimor

Sot në Pallat të Brigadave në Tiranë zhvillohet Samiti i Krerëve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë ngjarje do të jetë prezent edhe kryeministri Albin Kurti.

Një konferencë për shtyp të kryeministrit Edi Rama me Komisionerin Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi do të mbahet në orën 12.30.

Ky Samit vjen pas turit të vizitave të Ramës në Hungari dhe Bullgari, ku tema që iu vu theksi ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

Agjenda e Samitit:

Në orën 09.30 – Takim Bilateral me Zoran Tegeltija, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës

Në orën 10.00 – Takim Bilateral me Olivér Várhelyi, Komisionerin Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë

Në orën 10.30 – Mbërritja e delegacioneve

Në orën 11.00 – Seanca Plenare

Në orën 12.30 – Foto Familjare

Në orën 12.30 – Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Komisionerin Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi

Në orën 13.00 – Drekë Pune

Në orën 15.00 – Firmosje e marrëveshjeve

Në orën 15.15 – Ceremonia e inaugurimit të Qendrës së Informimit Kulturor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat