I dënuar me 25 vjet burg/ Ja lista me pasuritë e Dritan Dajtit që SPAK kërkon t’i konfiskohen

Shqipëria

I dënuar me 25 vjet burg/ Ja lista me pasuritë e Dritan Dajtit që SPAK kërkon t’i konfiskohen

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 10:59
Dritan Dajti

Prokuroria e Posaçme kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kërkuar në Gjykatë konfiskimin e disa prej pasurive të Dritan Dajtit. Kërkesa është bërë në bazë të operacionit “Forca e Ligjit” sipas aktit normativ, pasi në shkurt të vitit të kaluar ishte vendosur sekuestro nga OFL-ja.

Mësohet se bëhet fjalë për 6 pasuri, për të cilat dje në orën 13:30, Gjykata e Posaçme ka vendosur shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut. Më 12 shkurt të vitit 2012, OFL-ja i dorëzoi Dritan Dajit formularin e vetëdeklarimit të pasurisë.

Në kërkesën e konfiskimit që SPAK ka dorëzuar në Gjykatë, bëhet fjalë për 3 apartamente dhe një godinë shërbimi të përfituara me kontratë dhurimi, ndërsa vetëm një apartament rezulton me kontratë shitjeje.

Disa nga pasurisë që Prokuroria e Posaçme kërkon t’i konfiskojë janë:

Shtesë anësore pallati, me sipërfaqe 36.75 m2, e llojit apartament në katin e tretë të rrugës “Shyqyri Bërxulli”;

Shtesë anësore pallati, e llojit apartament me sipërfaqe 36.75 m2, në katin e katërt të rrugës “Shyqyri Bërxulli”, të përfituara me kontratë dhurimi nga Durime Braçe;

Apartament me sipërfaqe 49.3m2, i përfituar nga kontratë shitje në rrugën “Shyqyri Bërxulli”;

Godinë shërbimi social-ekonomike, kati i parë, me sipërfaqe 72.5m2, dhuruar nga Erges Xhoxhi;

65 për qind e kapitalit të shoqërisë “E… sh.p.k” dhe 45% të kapitalit të Shoqërisë “P… sh.p.k”, që janë në emër të bashkëshortes së Dritanin Dajtit, Dorela Dajti.

Dritan Dajti është duke vuajtur dënimin me 25 vjet burg, pasi akuzohet se ka kryer veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Kalvari i seancave gjyqësore për Dritan Dajtin vijoi prej disa vitesh me 278 seanca pasi avokatët refuzonin ta përfaqësonin, por ai vetëm një vit më parë i shpëtoi 4 dënimeve të përjetshme.

Në 2014 Gjykata e dënoi Dritan Dajtin me 4 burgime të përjetshme, por ai e apeloi vendimin.

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar që ia ul dënimin në 25 vite burg. Maxhoranca e cilësoi këtë vendim një skandal, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri rekurs për vendimin në Gjykatën e Lartë.

“Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon Operacioni Forca e Ligjit, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, si dhe për sekuestrimin e pasurisë në kushtet e emergjencës.

Në këtë kuadër, OFL-ja i ka dërguar kërkesën për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasit: D. D., me banim në Tiranë, i dënuar për veprat penale: ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’, ‘Mbajtja pa leje e armëve luftarake’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ‘Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve’ dhe ‘Mbajtja pa të drejtë e uniformës’”, njoftonte Policia e Shtetit më 12 shkurt të vitit të kaluar, pasi OFL-ja i dërgoi formularin Dritan Dajtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat