Anëtari i LGBTQI dhunohet në Tiranë, reagon ambasada gjermane

Shqipëria

Anëtari i LGBTQI dhunohet në Tiranë, reagon ambasada gjermane

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 14:48
Ilustrim

Në qytetin e Tiranës është dhunuar një anëtar i komunitetit LGBTQI. Mësohet se 21-vjeçari është dhunuar nga disa të rinj në kryeqytet, ndërsa rasti është denoncuar në komisariatin Nr.2 dhe po ndiqet nga afër nga policia.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar me anë të një postimi në faqen zyrtare edhe ambasada e Gjermanisë në Tiranë, e cila thotë se është e tronditur nga ky sulm brutal i lidhur me identitetin seksual të personit dhe kërkon të zbardhet sa më parë nga policia dhe organet e drejtësisë. Më tej ambasada ka thënë se kundërshton me vendosmëri çdo formë të dhunës verbale dhe fizike, në përgjithësi. Ambasada shprehet se do të vazhdojnë të mbështesin barazinë dhe se do të luftojnë diskriminim në çfarëdolloj forme të vij ai.

“Me tronditje mësuam për sulmin brutal ndaj një anëtari të komunitetit të LGBTQI mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Sulmi, i cili mesa duket lidhet me identitetin seksual të viktimës, duhet të zbardhet plotësisht dhe menjëherë nga policia dhe organet e drejtësisë. Ne si Ambasadë Gjermane kundërshtojmë me vendosmëri çdo forme të dhunës verbale dhe fizike, në përgjithësi dhe e drejtuar kjo ndaj pakicave dhe anëtarëve të lëvizjes LGBTIQ. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për barazinë dhe kundër diskriminimit”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermane në Tiranë.

Së fundmi ka reaguar edhe Policia e Shtetit, ku deklaron se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve

“Me datë 16.06.2021, shtetasi me iniciale E. M., 21 vjeç, kallëzon se në rrugën “Vëllëzërit Manastirli” e kanë goditur disa persona ende të paidentifikuar. Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr.2, pas marrjes së kallëzimit e kanë pajisur të dëmtuarin me vendimin mjeko-ligjor dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat