"Donte ta bënte krenare të ëmën", mësueset të tronditura nga vrasja e Musaen Zeneli

Shqipëria

"Donte ta bënte krenare të ëmën", mësueset të tronditura nga vrasja e Musaen Zeneli

Më: 29 qershor 2021 Në ora: 12:02
Mësuese

Një ditë pasi u përcoll në banesën e fundit, Ora News ishte sot në shkollën e mesme profesionale "Hamdi Bushati", ku 19-vjeçari Musaen Zeneli ndoqi katër vitet e gjimnazit.

Mësueset tregojnë se ai ishte nxënës shembullor dhe e kishte pasion të madh kuzhinën.

Lajmin e kobshëm për vrasjen e tij thonë se e morën vesh nga rrjetet sociale dhe ende e kanë të pamundur ta besojnë.

"Njohjet me Musaenin i kam që në fëmijërinë e tij. E kam takuar kur i ndodhi fatkeqësia e të atit. Ishte fëmijë i dashur dhe i mirë. Kur u rrit erdhi në shkollën tonë. Duke pasur njohje me mua sikur gjeti një lloj ngrohtësi dhe kishte dëshirë të më takonte. Në vit të parë i dhashë mësim dhe përpiqej dhe kishte dëshirën të mësojë.

Duke pas këtë njohje përpiqesha që të lënda ime të jepte diçka më shumë që të flisja mirë për të te ëma Anila me të cilën kishte lidhje shumë të ngushtë dhe donta ta bënte krenare. Vitet kaluan dhe ai u bë maturant, gjithmonë me dëshirën e madhe për tu bërë kuzhinier.

Këtë profesion e donte shumë.Shpesh vinte te mësuesja e angazhuar me praktikat në biznes për ti siguruar një vend në biznes, ai ka bërë praktikën te Iliria, 1-2 vjet dhe nga kontaktet që kam pasur me kuzhinierin më ka folur fjalë shumë të mira. Mbrëmjen e maturës  të gjithë maturantët ndryshojnë dhe thua a është kjo vajzë apo ky djalë.Duken më të bukur. Musaeni shkëlqente atë natë, mori shumë komplimente.  

Unë dhe mësuesja kujdestare kishim një vëmendje të madhe atë natë tek ai. Ishte i lumtur, gëzoi e kërceu, fotografoi pa fund atë mbrëmje mature. E përcollëm në shtëpi. Kur mora vesh lajmin që shoi endrrat dhe dëshirat e tij, u shokova. Pashe lajmin në facebook dhe nuk u besova syve" tregon një nga mësueset e tij.

Si një nxënës dhe fëmijë shembullor e kujton edhe mësuesja kujdestare, e cila ka pasur raporte edhe më të afërta me të.

"Musaeni që në ditët e para, para se të niste shkolla u njoh me mua. Me ndihmoi të vendos këndin e ri të klases dhe të bënim rregullimet. Fëmijë i dashur dhe punëtor. Kishte pasion kuzhinën. Fëmijë i dashur e sinqertë, i dëgjueshëm dhe komunikueshëm. Fjalët e tij ishin urdhëro dhe më fal, sa herë komunikonte.

Që në vitin e parë ai shfaqi emocionet për punën që të fitojë aftësi për profesionin e kuzhinierit. Ishte i perkushtuar dhe kudo ku ka bërë praktikë na flisnin fjalët më të mira. Mbrëmja e maturës, ka qenë e paharrueshme, që do të mbetet gjatë në kujtesën tonë.

Ka patur vëmendje të veçantë për ne. Ka kërcyer e kënduar pa fund. Lajmin e mora nga një kolege. Por duke qenë se lajmi ishte me emër tjetër, besuam se do ishte dikush tjetër."

Musaen Zeneli ishte mes katër viktimave pas përplasjes me armë në Velipojë për ndarjen e parcelave të plazhit.

Ai gjeti vdekjen në mbyllje të ditës së tij të parë të punës si kamarier në hotelin e Gocajve.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat