Gjykata e Lartë “fshikullon” Prokurorinë për Fatmir Mediun! Zbardhen arsyet pse ia delegoi çështjen për gjykim GJKKO-së

Shqipëria

Gjykata e Lartë “fshikullon” Prokurorinë për Fatmir Mediun! Zbardhen arsyet pse ia delegoi çështjen për gjykim GJKKO-së

Më: 1 korrik 2021 Në ora: 08:42
Fatmir Mediu

Gjykata e Lartë “fshikullon” Prokurorinë për Fatmir Mediun. SPAK kërkoi rigjykimin e ish-Ministrit të Mbrojtjes, të cilin e akuzon si një nga ish-zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur me argumentin se ai nuk ka imunitet dhe mund të përballet me drejtësinë.

Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të Reformës në Drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë. Në vendimin e firmosur nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi e Klodian Kurushi, ajo që bie në sy është kritika ndaj institucionit të Prokurorisë.

“Kolegji vëren se që prej momentit që ka rënë pengesa për ushtrimin e ndjekjes penale ndaj subjektit Fatmir Mediu, Prokuroria nuk ka pasur ndonjë pengesë që të ushtronte funksionin e saj si përfaqësues i akuzës, konform ligjit, situatë procedurale kjo e transferuar si kompetencë te Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në vendim. Më tej, Gjykata arsyeton se nuk është kompetente për të gjykuar ish-ministrin, detyrë që tashmë i takon Gjykatës Speciale.

“Referuar kuadrit ligjor të mësipërm, Kolegji vlerëson se Gjykata e Lartë nuk ka më juridiksion fillestar për të shqyrtuar akuzat penale ndaj funksionarëve të lartë shtetërorë, pasi që prej ndryshimeve të miratuara me ligjin nr. 76/2016 dhe nr. 35/2017 kompetencën për të shqyrtuar këto akuza penale e ka Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Duke qenë se kompetencën lëndore për shqyrtimin e çështjes penale në themel e ka Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kolegji vlerëson se kjo gjykatë ka kompetencën lëndore për t’u shprehur edhe në lidhje me kërkesën për revokim të vendimit të pushimit, e cila do të duhet të shqyrtohet nga gjyqtari i seancës paraprake pranë kësaj gjykate”, thuhet në vendim. Kolegji thekson më tej se e gjen të pabazuar arsyetimin e paraqitur nga Prokuroria se Gjykata e Lartë ka kompetencën lëndore të shprehet për kërkesën meqenëse vendimi i pushimit është dhënë prej kësaj gjykate.

“Kolegji vë në dukje se që nga dhënia e vendimit nr. 6, datë 14.09.2009, ka ndryshuar në mënyrë thelbësore kuadri kushtetues dhe ligjor duke bërë që Gjykata e Lartë të mos ketë më juridiksion fillestar për akuzat penale ndaj funksionarëve të lartë shtetërorë.

Kompetencën në lidhje me shqyrtimin e akuzave penale ndaj këtyre subjekteve e ka Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila do të duhet të shqyrtojë edhe kërkesën objekt gjykimi”, arsyeton Kolegji Penal. Fatmir Mediu iu shpëtoi akuzave të Prokurorisë, pasi në 2009 u rizgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe u rivesh me petkun e imunitetit të deputetit.

Ai akuzohej për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim dhe “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, me subjekt ushtarak-kuadër komandues. Nga shpërthimi i punishtes së dëmtimit të armëve, ngritur në ambientet e ish-Brigadës së Tankeve, në fshatin Gërdec, Tiranë, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, ndërsa u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat