Spartak Ngjela zbërthen vizitën e Reeker

Shqipëria

Spartak Ngjela zbërthen vizitën e Reeker

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 08:42
Spartak Ngjela

Avokat Spartak Ngjela ka zbërthyer mesazhet e fshehura të vizitës së Ndihmës Sekretarit Amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker në Shqipëri

. Pak ditë më parë Reeker zhvilloi një sërë takimesh me shumë personazhe të rëndësishëm të vendit tonë dhe ajo që ra në sy është se vetëm për presidentin Ilir Meta nuk gjeti kohë. Për të sqaruar më tej këtë çështje gazeta ka kontaktuar dje me avokat Spartak Ngjelën, i cili dha tre arsye pse Reeker shmangu takimin me Metën.

Sipas Ngjelës, shkaku kryesor i shmangies kaq të hapur është se Meta gjithë kohës ka qenë në krah të Moskës kundër NATO-s dhe SHBA.

“Sigurisht që Philip Reeker shmangu Ilir Metën gjatë takimeve në Shqipëri për shkak që ky i fundit ka ndjekur vazhdimisht lojën ruse. Me anë të kësaj kuptohet që amerikanët i thanë që ti nuk je me politikën tonë. Amerika është aleatja e Shqipërisë, kurse ti po shkon me kundërshtarin e Aleancës së Atlantikut, pra me Rusinë. Sepse Meta e ka shprehur hapur këtë fakt. Kjo është një nga arsyet kryesore, e thënë në një formë politike”, u shpreh Ngjela.

Avokati tha se, mostakimi i Reeker me Metën ka dhe një mesazh tjetër të fshehur. Sipas tij, ata po i tregojnë qartë se, nuk e konsiderojnë më atë si president të Shqipërisë, madje as si figurë të politikës sonë. “Gjithashtu mos takimi i Reeker me Metën tregon se, ata ia shprehën qartë që, ne nuk të pranojmë më. Ja tregojnë hapur këtë qëndrim të tyre. I treguan Metës se nuk e pranojnë më si kryetar të shtetit shqiptar dhe si politikanë të shtetit shqiptar”, theksoi Ngjela.

SHBA pro shkarkimit të Metës

Ndër të tjera Ngjela tregoi se, arsyeja e tretë që Reeker nuk pati një takim me Metën është shkarkimi i tij nga Parlamenti. Sipas avokatit, me këtë veprim Reeker tregoi se Amerika është pro shkarkimit të tij dhe po ia shpreh këtë popullit shqiptar.

“Ndërkohë aspekti i tretët është se ai në proces penal, pasi po shkon drejt shkarkimit. Fakti që po shkon drejt shkarkimit ka të thotë shumë, sepse në rast se personaliteti i politikës amerikane do ta takonte Metën, do të merrej sikur do t’i thoshte opinionit publik shqiptar dhe Gjykatës Kushtetuese që Amerika mbështet presidentin, gjë që nuk mund ta bënte dhe nuk ndodh. Këto janë arsyet kryesore të shmangies së tij”, tha ai. Sipas avokatit, ky veprim i Reeker ishte edhe një mesazh për kreun e PD, Lulzim Basha, sepse po i kërkon të bashkohet me aleatët dhe mos të mbështesë Metën. Ngjela tha se, amerikanët i treguan hapur Bashës se ata nuk e mbështesin Metën, për t’i bërë të qartë se edhe PD nuk duhet të përkrahë Moskën përndryshe nuk do ketë aleancë me Amerikën. “Biseda e Reeker me Ramën ishte midis aleatëve, me Bashën kishte shumë gjëra pasi PD nuk është me Perëndimin. Ata i dhanë shenjën Bashës se presidentin nuk e takojmë. Politika ku ndahen këta është tek interesi rus, amerikanët treguan se politikën e Metës nuk e pranojmë”, u shpreh Ngjela.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat