Kujdes, policia në Shqipëri ashpërson kontrollet, arreston disa persona

Shqipëria

Kujdes, policia në Shqipëri ashpërson kontrollet, arreston disa persona

Më: 4 korrik 2021 Në ora: 20:28
Ilustrim

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore në vend, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Policia e Shtetit njofton se “gjatë 24 orëve të fundit ka konstatur një sërë parregullsish që kanë të bëjnë me: shpejtësi tej normave të lejuara deri në 180 km/orë, drejtim mjeti në gjendje të dehur e nën ndikimin e alkoolit, parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, përdorim të celularit në timon e mos vendosje të rripit të sigurimit”.

“Janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë pezulluar gjithsej 57 leje drejtimi, nga të cilat: 38 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara që varionin nga 74 km/orë në qendrat urbane në Kamëz e deri në 180 km /orë, 20-vjeçari F.SH., i cili u konstatua nga radari në rrugën interurbane Tiranë- Durrës, në aksin Maminas-Durrës.

19 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur në masë deri në 0.62 mg/l konstatuar në Tiranë, ku drejtuesi i mjetit shtetasi A.LL, kryente manovra të rrezikshme në rrugë dhe për pasojë ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin rrethues të një godine”- njofton Policia e Shtetit.

Gjithashtu citon njoftimi i Policisë, janë ndëshkuar me masë administrative 2482 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht: 412 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 324 masa për mospërdorim të rripit të sigurisë, 746 masa për shpejtësi mbi normat e lejura, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, 178 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, 711 masa për parakalime të gabuara dhe 111 masa për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve , të respektojnë rregullat, mos kryejnë parakalime të gabuara, të qëndrojnë në radhë në akset ku trafiku është i rrjedhshëm por i ngadaltë, të mos qarkullojnë me shpejtësi e mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat