“Ndryshimet” në kupolën e policisë; një riciklim i infeksionit

Shqipëria

“Ndryshimet” në kupolën e policisë; një riciklim i infeksionit

Më: 5 korrik 2021 Në ora: 15:47
Edi Rama dhe Policia

“Reforma” e shpallur nga Edi Rama para pak ditësh në Policinë e Shtetit, pas ngjarjes makabre të Velipojës duket se ishte thjesht një hile për t’i hedhur hi syve opinionit.

Siç u vërtetua sot, nga shpallja e lëvizjeve në policinë e shtetit, Ardi Veliu jo vetëm që qëndroi në detyrë, por ka firmosur një riciklim drejtorësh në strukturat vendore, pa nxjerrë asnjë mësim apo analizë nga dështimet spektakolare.

Dhe ç’është më e keqja, këto lëvizje bëhen si në kontekst ashtu edhe në atmosferë, të një arrogance të tmerrshme të uniformave blu ndaj qytetarëve.

Strukturat e policisë, të urdhëruara nga lart, si pasojë e arkës bosh të qeverisë i janë sulur qytetarëve si çakej për të marrë gjoba.

Në rrugët nacionale, ato lokale, por edhe në qytete, policët po gjobisin pa mëshirë, duke i dhënë edhe “bandës” së Veliajt në Tiranë që mban emrin polici bashkiake, një trimëri për të gjobitur ku ti teket. Nuk po shihet më as zbatimi i rregullave nga qytetarët, pagesa online nëpërmjet celularit, por vetëm gjobiten. E kur i tregohet pagesa onlinë, policët thonë se “është gabim pajisja”.

E kjo atmosferë është pikërisht filozofia e qeverisë së Edi Ramës me Ardi Veliun, ku nuk ka ndryshuar asgjë, thjesht lëvizin bejlerët nëpër qarqe, të cilët nuk janë gjë tjetër, veçse përfaqësues të klaneve më të errëta të grupeve në pushtet.

Po të shohësh skemën e shpallur të lëvizjeve në polici, kemi vetëm pak, shumë pak risi në të gjithë listën e emërimeve dhe largimeve. Pjesa më e madhe e këtyre lëvizjeve janë thjesht rokadë: njëri zëvendëson tjetrin, siç dhe mbreti e torra këmbejnë vendet në shah. Por që është një lëvizje në vend e nuk ka asnjë avancim apo zhvillim të ri.

Ndërkohë, që Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka për detyrë të shpjegojë për publikun, si e mendon kupola e uniformave blu këtë krizë të tmerrshme që ka çuar në një vakum të kontrollit të shtetit në territor, rritjen e rasteve të krimeve të rënda siç janë vrasjet me armë zjarri, grabitjet e vjedhjet e pronës, rritja e aksidentëve së bashku me kaosin në rrugët e Republikës.

Asnjë ide, asnjë plan masash për të sjellë të paktën në mënyrë emergjente shtetin me forcën e tij, për të demonstruar ligjin para kriminelëve dhe njerëzve që synojnë ta shkelin ligjin.

Asnjë masë ndaj atyre strukturave të policisë, apo drejtuesve të saj, që me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë sjellë këtë katrahurë që për gati dy muaj riktheu kaosin e mbretërimin e krimit në vend.

Asnjë risi, në lëvizjet e reja, rifreskimin e kupolës së policisë me elementë modernë dhe oficerë që përfaqësojnë qytetarinë. Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës me oficerët arrogantë e të pakulturuar që represionin e përdorin ndaj qytetarëve të pambrojtur, ndërkohë që drekojnë dhe tolerojnë, si dhe bëjnë Pazar me bosët e krimit dhe korrupsionit në vend.

Riciklimi i të njëjtave fytyra në të ashtuquajturën “reformë” nuk është gjë tjetër veçse një riciklim i infeksionit që ka pllakosur Policinë e Shtetit..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat