​Rama: Nacionalizmat në BE po e ndërlikojnë rrugëtimin tonë evropian

Shqipëria

​Rama: Nacionalizmat në BE po e ndërlikojnë rrugëtimin tonë evropian

Më: 5 korrik 2021 Në ora: 19:57
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shprehur pakënaqësinë e tij me procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke akuzuar siç u shpreh ai, nacionalizmat e BE-së, të cilët sipas tij, po e ndërlikojnë rrugëtimin evropian.

Ai gjatë një konference virtuale me kryeministrat e tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka kritikuar BE-në se po e zbeh procesin e anëtarësimit të rajonit në familjen e madhe evropiane

Rama: Nacionalizmat në BE po e ndërlikojnë rrugëtimin tonë evropian

“Mendoj që procesi që niset ka qenë shumë i rëndësishëm për të mbajtur gjallë atë që atë që BE-ja po e shuan, flakën e shpresës tek e ardhmja, thënë këtë, mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të kemi më shumë autorësi në proces aq sa është e rëndësishme që të kombinohet me përpjekjet e shtuara të Komisionit mbështetur në planin e ri ekonomik dhe të investimeve. Sigurisht, është e trishtuar dhe të gjithë e dinë që ndërkohë procesi i integrimit evropian të rajonit, që dikur shihej dhe tregohej si rruga e duhur për të nënshtruar nacionalizmat ballkanikë tani është shndërruar në një proces që shtypet nga nacionalizmat e BE-së. Nacionalizmat në BE po e ndërlikojnë rrugëtimin tonë evropian dhe po luajnë shumë rolin e kundërt me të”, tha Rama.

Për më tepër, kryeministri Rama ka dhënë detaje edhe nga biseda e tij me kancelaren gjermane Angela Merkel lidhur me procesin e anëtarësimit në BE.

Rama: Duhet të shmangim kurthin që të bëhemi karikaturë e BE-së

“Dua të theksoj atë që pata shansin të ndaja direkt me kancelaren se është e rëndësishme që të ecim shpejt dhe duhet të shmangim kurthin që të bëhemi karikaturë e BE-së dhe që të bëhemi viktima të vetove të ndërsjella apo të nevojës për konsensus. Kjo nënkupton, tashmë objektivat i kemi shumë të qarta. Ajo që Ursula tha tash është një pamje e qartë të asaj që kërkon, veprim të tregut të përbashkët, planin ekonomik dhe të veprimeve dhe zbatim sa më të të plotë të katër lirive të Evropës. Shqipëria është shumë e bindur dhe do të inkurajoj sa më shumë për të shpejtuar dhe nuk do të shohim një konsensus me çdo kusht për çdo gjë. Do të kërkojmë gjithëpërfshirje të plotë në proces me të gjithë që kërkojnë për ta përshpejtuar këtë proces”, tha Rama.

Kryeministri Rama ka folur edhe rreth takimit të fundit të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë Veriore Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, në të cilin shprehën dëshirën që liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit të fillojë sa më shpejt në Ballkan.

Rama: Kemi vendosur të ecim sa më shumë që të jetë e mundur

“Me Serbinë dhe Maqedoninë Veriore dua ta bëj shumë të qartë, nuk kemi vendosur të ndajmë ndonjë gjë, nuk kemi vendosur të ndajmë askënd, por thjesht kemi vendosur të ecim sa më shumë që të jetë e mundur, duke përsëritur se të gjithë janë të mirëseardhur, por duke deklaruar se nuk do të presim asnjërin përherë. Objektivat dhe rruga janë të qarta. Na takon neve që të ecim sa më shumë që të jetë e mundur, duke shpresuar se nga ana e BE-së edhe ata do të shtyjnë përpara sa më shumë që të jetë e mundur. Dhe këtu më duhet të them se komisioni, presidentja e Komisionit dhe sidomos komisionari Varhelyi, po ia shpëtojnë fytyrën BE-së në Ballkan”, ka thënë Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat