Nuk lëviz Ardi Veliu, 4 ministra dhe 3 drejtorë policie të ndërruar për 8 vite

Shqipëria

Nuk lëviz Ardi Veliu, 4 ministra dhe 3 drejtorë policie të ndërruar për 8 vite

Më: 8 korrik 2021 Në ora: 20:08
Ardi Veliu

I vetmi, i cili i ka rezistuar ndryshimeve edhe të tre ministrave në Ministrinë e Brendshme, është drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Pavarësisht se disa herë është kërkuar largimi i tij, Veliu vazhdon të mbajë detyrën prej thuajse katër vitesh.

Ministria e Brendshme ka qenë dikasteri më dinamik që ka prodhuar më shumë lëvizje në dy mandatet e para të qeverisë “Rama”.

Në 8 vite, 4 ministra të ndërruar dhe për rrjedhojë edhe tre drejtorë të përgjithshëm të Policisë së Shtetit të ndryshëm.

Saimir Tahiri ishte më jetëgjati në Ministrinë e Brendshme për më shumë se katër vite në krye, duke udhëhequr policinë fillimisht me drejtor të përgjithshëm Artan Didin e më pas Haki Çakon.

Didi dha dorëheqjen pas dy vitesh në krye të uniformave blu dhe u kontestua nga opozita që në krye të herës si ish-komisioner i Partisë Socialiste.

Haki Çako qëndroi rreth 3 vite si drejtor i përgjithshëm, edhe në vitin 2016 në kohën e kanabizimit të Shqipërisë, por me ardhjen në krye të ministrisë, të Fatmir Xhafajt u largua me motivacionin për një ritëm tjetër të punës së uniformave blu.

Xhafaj propozoi Ardi Veliun si drejtor të përgjithshëm, ndërsa ky i fundit mori detyrën më 6 shkurt të 2018-ës ndonëse sipas opozitës, por edhe ligjit për Policinë e Shtetit nuk përmbushte kushtet, duke kapërcyer dy grada.

Fatmir Xhafaj do të largohej pas akuzave të opozitës për të vëllain si i dënuar për trafik droge ndërsa në krye të Ministrisë së Brendshme mes përplasjeve edhe me presidentin erdhi gjenerali, Sandër Lleshaj.

Ky i fundit vijoi punën me Ardi Veliun si drejtor edhe pse u raportua për marrëdhënie të tensionuara mes tyre.

Për Ardi Veliun është kërkuar dorëheqja në protesta në të paktën dy raste, por ai është mbrojtur nga kryeministri Rama publikisht.

Fillimisht Rama doli në krah të Veliut kur ai bullizoi nënën e një të mituri që ishte dhunuar nga policia si dhe gjatë protestave për vrasjen e Klodian Rashës nga një efektiv i “Shqiponjave”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat