Çoçoli: Tendera të trukuar, me shkelje të përbindshme, janë kapur prej kohësh nga KLSH

Shqipëria

Çoçoli: Tendera të trukuar, me shkelje të përbindshme, janë kapur prej kohësh nga KLSH

Më: 10 korrik 2021 Në ora: 22:34
Fatos Çoçoli

Këtë të shtunë, SPAK  zhvilloi goditjen e dytë brenda pak ditësh, pas vënies në pranga të kryebashkiaku të Lushnjes dhe disa zyrtarëve të tjerë lokalë.

9 zyrtarë e ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme u arrestuan në kuadër të një hetimi të nisur vitin e kaluar me akuzën për “shkelje të barazisë në tendera”.

Ata dyshohen të kenë favorizuar kompaninë fituese në garën për blerje dhe shpërndarje të uniformave të policisë.

Fatos Çoçoli, gazetar dhe ekspert i ekonomisë, e sheh një lëvizje të vonë por të mirëpritur.

Për Rtv Ora me gazetaren, Besmira Pelushaj, ai thotë se dëmi ekonomik ndër vite është i jashtëzakonshëm, duke sjellë në vëmendje faktin se çdo vit nga bashkitë tona tenderohen rreth 220 milion euro.

Nga ana tjetër, sipas tij, shifra shumë herë më të mëdha luhen pas tenderave qëndrorë.

Çoçoli: Më mirë vonë se kurrë. Është shumë vonë, dëmi ekonomik është i pamatë, i jashtëzakonshëm. Mjafton të flasim për një shifër vjetore 219-220 milion euro që tenderojnë çdo vit sipas KLSH 61 bashkitë tona. Kemi shumë abuzime dhe dëm të miRëfilltë ekonomik.

U hap më në fund Kutia e Pandorës e abuzimeve kolosale me tenderat vendorë por jo vetëm ato. Shifra shumë më të mëdha luhen edhe pas tenderave qëndrorë të ministrive të linjës.

Niveli i lartë i korrupsionit me tenderat për Çoçolin nuk lidhet me mungesën e ligjeve por me shkeljen e qëllimtë të procedurave.

Çoçoli: Kryesorja tek ne e problematikave me tenderat publikë është fakti që qëllimisht shkelen procedurat dhe rregullat e qarta të vendosura nga ligji i prokurimit publik i amenduar deri tani më shumë se 13 herë. Por edhe pse letrat janë ato rregullisht shkelen.

Kemi 8 vjet që bëjmë prokurime elektronike e megjithatë KE në progresraportin e vitit të kaluar, 6 tetor 2020, përmend një shifër shumë shqetësuese. Thotë se numri mesatar i pjesëmarrësve në një tender, te bashkitë janë mbi 1650 tendera çdo vit ndërsa te njësitë qëndrore më pak por vlera është shumë më e lartë, ka rënë.

Në 2018 ka qenë 3.07, ka rënë në 2.47, po i afrohet frikshëm 1. Kjo do të thotë gjithnjë e më pak kemi konkurrencë të drejtë dhe të hapur në tenderimet publike. Kemi tendera të trukuar, ku fituesi është i paracaktuar. Bie dakord madje me kompani të tjera që të mos marrin pjesë në garë kundrejt një shpërblimi të caktuar vetëm që dikush që është i afërt politikisht me partinë që qeveris e vetme vendin.

Eksperti i ekonomisë nënvizon se hetimet e SPAK na risollën edhe njëherë në vëmendje problematikën pasi tendera të tillë janë identifikuar dhe bërë publike prej kohësh nga KLSH.

Çoçoli: Ra SPAK dhe u pamë, nuk goditi SPAK. Tendera të trukuar, tendera me fitues të paracaktuar, me shkelje të përbindshme i kapur prej kohësh KLSH. Mjafton të përmend një shifër që e ka gjetur në raportin e performancës të 2019 për 2018, kanë gjetur 400 tendera të parregullt. Shumica të qëllimshme. Kjo është një situatë që nuk lindi sot. Është mungesa e kulturës së përgjegjshmërisë, ndëshkueshmërisë që na ka sjellë në këtë gjendje.

Sipas Çoçolit, gjithçka vërtitet rreth shkeljeve të kryera nga Komisionet e Vlerësimit të Ofertave.

Çoçoli: Aty fshihet gjithçka. Nga fakti si manipulohen dokumentet e tenderimit, përgatiten në mënyrë të atillë që të marrin pjesë vetëm ato firma, qoftë kryetari i bashkisë apo ndonjë person tjetër i lartë partiak dëshiron të marrë pjesë. Kryetari i bashkisë bën ligjin, i thotë nëpunësit të shkretë, o firmos ose ndryshe nuk e ke të gjatë në bashki.

Çoçoli thotë se është vrarë konkurrenca tek tenderimet tona publike, ndaj sipas tij nevojitet një katarsis i nëpunësve që merren me tenderat.

Çoçoli: Në vendet e zhvilluara funksionon audituesi i brendshëm që nuk është peng i titullarit të institucionit. Kjo forcohet nëse trupa e audituesve të brendshëm të KLSH janë shumë herë më shumë se ata të jashtëm.

Kemi 155-160 auditues të KLSH, të brendshëm janë më shumë se 400 të trajnuar. Por të trajnohen dhe në Amerikë nuk guxojnë se borderonë ua firmos ministri i radhës, kryebashkiaku i radhës. Nuk mund të sulmojnë qiejt në këtë mënyrë. Mënyra si këta të rikthehen në detyrë është që këtë strukturë ta marrë përkohësisht Kuvendi me ligj të veçantë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat