Minë antitank në oborrin e banesës së drejtorit të ISSH, zbardhet dëshmia e shënjestrës

Shqipëria

Minë antitank në oborrin e banesës së drejtorit të ISSH, zbardhet dëshmia e shënjestrës

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 15:55
Foto ilustrim

Minë antitank në oborrin e ndërtesës së drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Krujë.

Ngjarja e pazakontë është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së të dielës. Alfred Voga, i cili më herët mbante detyrën e drejtorit të ALUIZNI-t dega Krujë, ka konstatuar një pako të dyshimtë sapo është kthyer në banesë, pasi kishte kaluar fundjavën pranë bregdetit.

Lënda plasëse ishte vendosur në portën hyrëse të oborrit të ndërtesës private në fshatin Halil. Me të parë pakon, drejtori Voga ka telefonuar menjëherë Policinë lokale. Forcat e rendit shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me ta edhe një grup ekspertësh të Repartit të Xhenios, të cilët bënë të mundur çaktivizimin e minës.

“Më datë 11.07.2021, rreth orës 23:25, në fshatin Halil, Fushë-Krujë, në ambientin e jashtëm të banesës, shtetasi A. V. ka konstatuar një pako të vogël ku brenda saj kishte lëndë të dyshuar plasëse. Në vendngjarje shkoi grupi hetimor dhe po punohet për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e autorit”, sqaroi Policia.

Menjëherë pas ngjarjes Policia ka shoqëruar të paktën 10 persona, mes tyre të dyshuar dhe ata që mund të kenë dijeni për kërcënimin me lëndë plasëse të drejtorit të Sigurimeve Shoqërore, Alfred Voga. Mes të shoqëruarve, sipas burimeve, janë edhe persona me precedentë penalë.

DËSHMIA

Pas konstatimit të lëndës plasëse, i pari që është marrë në pyetje ishte pikërisht Voga, i cili ka treguar dyshimet e tij. Ai ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd dhe se dyshon se ngjarja ka lidhje me detyrën. Kreu i ISSH-së së Krujës ka thënë gjithashtu se ai dhe familja e tij ndihen të kërcënuar. “Sigurisht që familja ime dhe unë ndihemi të kërcënuar. Pakon me tritol e gjeta te dera e shtëpisë. Ky do të thotë një kërcënim i pastër. Nuk di se kush mund ta ketë vendosur pakon te dera e shtëpisë sime, pasi realisht nuk kam ndonjë konflikt të hapur. As familja ime nuk ka konflikte. Mendoj se kërcënimi ka të bëjë me detyrën time të tanishme, por edhe në të shkuarën kur mbaja postin e drejtorit të ALUIZNI-t dega Krujë”, ka deklaruar Voga në Polici. Ai u bërë thirrje autoriteteve që të vijojnë hetimet dhe të kapin autorin apo autorët e ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat