“100 mijë viktima, ish të përndjekurit larg integrimit”,deklarohet Avokati i Popullit

Shqipëria

“100 mijë viktima, ish të përndjekurit larg integrimit”,deklarohet Avokati i Popullit

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 21:30
Avokati i Popullit

Afro 3 dekada pas Programit të Pajtimit të parlamentit të parë pluralist, ish të përndjekurit pohojnë se statusi i tyre është fals. Pre e torturave më çnjerëzore, ish të burgosurit e të pushkatuarit që sistemi komunist i cilësoi si terrorist, ende sot nuk kanë marrë pafajësinë e si pasojë as dëmshpërblimin e premtuar.

“Vetting” sjell në vëmendje historinë e Mirush Përmetit, inxhinierit të kënetës Maliqit. Si e ekzekutuan dhe i sekuestruan shtëpinë komunistët për t’ia dhënë Panajota dhe Vasil Konomit.  Hezitimi i familjes për ta kthyer vilën tek Përmetajt në demokraci dhe falja e munguar e bijës së tyre Luljeta Bozo.

Drejtori i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, zbulon skemën e mashtrimit të shtetit për letrat me vlerë. Ai shpjegon zvarritjen e dëmshpërblimit nga qeveritë e majta dhe të djathta, kur sot shumica e ish të burgosurve janë ndarë nga jeta ndërsa e trashëgimtarët janë ende tek kësti i tretë.  Edhe 30 vjet të tjera për dëmshpërblimin total, cilat janë konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit?

Historia e 81-vjeçarit Hasan Demiraj nga fshati Begë i Tropojës që u trajtua si rast i veçantë nga Avokati i Popullit. Pa shtëpi e me 14 mijë lekë pension, ish i përndjekuri kërkoi ndihmë nga 18 zyrtarë të lartë për të marrë lekët e burgut, por i thanë të “presë në radhë”.

…………………….

Në vitin 2016 Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, konstatoi se të përndjekurit në dikaturë i kalonin 100 mijë, duke shtuar se nëse numëroheshin këtu edhe familjarët shifra do ishte 3-fish më e lartë.  59 mijë e 9 të internuar; 34 mijë e 135 të burgosur; 6 mijë e 27 të vrarë; 984 të vdekur në burg dhe 308 persona që për shkak të torturave humbën aftësitë mendore. Prej  tyre, nga viti 2014 e deri më sot, janë përfshirë në procesin e dëmshpërblimit 53 mijë e 230 viktima.Në përgjigje të kërkesës së “Vetting” Ministria e Financave dhe Ekonomisë konstaton se numri total i dosjeve individuale të miratuara në 28 VKM në bazë të ligjit 9831 është 13 mijë e 366 dosje.

“Në harkun kohor nga viti 2014 deri tani, është shpërndarë dëmshpërblimi financiar për 16332 subjekte përfituese të kategorisë parësore të cilëve iu është dhënë prioritet maksimal si dhe 36898 subjekte përfituese trashëgimtarë. Për këta të fundit Ministria e Financave dhe Ekonomisë përmbylli likujdimin e këstit të dytë  dhe me Urdhërin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë në vitin 2018 u ҫel kësti i tretë. Sa i takon numrit të dosjeve individuale që deri tani nuk janë trajtuar me asnjë këst të dëmshpërblimit financiar, prodhuar kjo si pasojë e mos interesimit dhe mos depozitimit të dokumentacionit kërkuar nga ana e subjekteve përfituese, ju bëjmë me dije se aktualisht kemi në proces VKM më të fundit miratuar më datë 19.05.2021 e cila përmban 120 dosje” shkruhet ndër të tjera në përgjigjen e Ministrisë.

Qeveritë shqiptare në 30 vite, jo vetëm që nuk e kanë shlyer borxhin ndaj ish të përndjekurve, por kërkojnë sipas KLSH-së një tjetër 30 vjeçar shtesë për t’i mbajtur premtimet. Në këtë mënyrë ata kanë përcjellë të zhgënjyer nga kjo botë,  jo vetëm pjesën më të madhe të ish të burgosurve politikë, por mbajnë të zvarritur në vitet e pleqërisë edhe brezin e dytë, që në më të mirën e rasteve ka dhe  6 këste të pamarra.

Përveç viktimave të diktaturës, mungesa e dëmshpërblimeve dhe rehabilitimit ka sjellë të tjera në demokraci. Të tilla janë rastet e Gjergj Ndrecës, Lirak Bejkos e Shpëtim Karamuçës të cilët, për të sensiblizuar strukturat lidhur me vuajtjete tyre, u  vetëdogjën.

Janë një sërë ankesash të ish të përndjekurve politikë dhe trashëgimtarëve që i janë drejtuar Avokatit të Popullit. Siç bëhet me dije për “Vetting” shumica e problematikave lidhet me mospranimin e dokumenteve për trajtim nga Ministria e Financave, vonesat në dhënien e kësteve, mospërfitimin e pensionit apo të dëmshpërblimit të përsonave të dëbuar apo internuar për shkak të mungesës së akteve normative etj.

“Edhe pse për këtë shtresë janë miratuar disa ligje, nga vitit 1991 e deri tani, ato nuk janë zbatuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Në jo pak raste ato kanë krijuar edhe kundërthënie mes tyre dhe kjo shtresë sot është shumë larg integrimit, sidmos në aspektin e dëmpshpërbimit financiar. Edhe pse kjo shtresë e shoqërisë dhe familjarët e tyre kanë vuajtur mjaftueshëm gjatë regjimit totalitar dhe një pjesë e mirë e tyre janë në moshë të thyer, me probleme shëndetësore dhe ekonomike, ende konstatohen afate të zgjatura sidomos për dhënien e këstit të tretë të dëmshpërblimit” , theksohet në përgjigjen e Avokatit të Popullit për “Vetting”.

Ndërkohë që një tjetër shqetësim i Avokatit të Popullit, mbeten krimet e pazbardhura dhe të padënuara, por edhe mospërfshirja e viktimave në konsultime gjatë ligjeve që janë miratuar për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat