A mund të fiken radarët?! Flasin nga Qendra e Monitorimit Detar

Shqipëria

A mund të fiken radarët?! Flasin nga Qendra e Monitorimit Detar

Më: 17 korrik 2021 Në ora: 15:05
Zyber Dyshku

Festimit i jepnim 15 mijë për të siguruar pjesën e detit, fikjen e radarëve. Kjo fjali e shkëputur nga përgjimet në dosjen për të arrestuarit e operacionit “Shpirti”  ktheu edhe një herë në vëmendje akuzat dhe përplasjet politike për përfshirjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë në trafikun e drogës.

“Në dy vjet pas 2011-ës, nuk ka punuar as edhe 1 radar nga 9 radarët që vëzhgojnë detin shqiptar. Radarët kanë qenë të tërë jashtë funksionimit ditën që un jam bërë ministre e mbrojtjes”, shprehej Mimi Kodheli në vitin 2015.

Dy vjet më vonë ministrja e Mbrojtjes Otla Xhaçka theksonte se ishte ngritur një grup pune për të inspektuar vëzhgimin e hapësirave detare.

“Së bashku me ministrin Fatmir Xhafaj kemi ngritur një grup të përbashkët inspektimi për të inspektuar situatën aktuale të sistemit të vëzhgimit të hapësirës detare”, shprehej Xhaçka.

Partia Demokratike përmes Enkelejd Alibeaj këmbëngul duke thënë se radarët e një vendi anëtar të NATO-s janë fikur duke u vënë në shërbim të trafikantëve të drogës.

“Radarët e një shteti anëtar të NATO-s janë fikur në shërbim te trafikut te drogës”,

Akuzat vijuan dhe u ricikluan për disa vite. Por pyetja se a mund te fiken qëllimisht radarët ka mbetur pa përgjigje.

Për të kuptuar se si monitorohet vija bregdetare, Euronews Albania ishte pranë qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare. Për shkak të sekretit shtetëror në sallën ku regjistrohet gjithçka që ndodh në bregdetin shqiptar, nuk lejohet të filmohet. Për këtë arsye, funksionimin e saj na e shpjegon drejtori administrativ i QNOD, Zyber Dyshku. Ai thotë se radarët nuk mund të fiken.

“Shpesh unë e kam dëgjuar, është një histori që përsëritet dhe janë bërë jo pak studime, hetime, verifikime dhe mua nuk më ka rezultuar të kemi fikje të qëllimshme të këtij sistemi. Në pjesën e rojeve bregdetare, ne jemi përdorues të sistemit dhe jo menaxhues dhe nuk ka asnjë mundësi që në këtë qendër të kemi mundësi fizike për të ndërhyrë, asnjë mundësi, zero. Nuk ka një buton, se shikohet sikur është një ventilator që shkon e shtyp butonin edhe fiket apo ndizet. Forca Detare që menaxhon këtë sistem, në sistemin e saj të serverave ka të regjistruar që nga momenti që sistemi ka nisur funksionimin e deri më sot, të gjitha të dhënat”, thekson z. Dyshku.

Duke iu referuar përmbajtjes së një dokumenti që u botua në media në vitin 2017, ku theksohej se është regjistruar 18 herë fikja e radarëve, Dyshku sqaron:

“Në çdo sistem mund të ndodhë një avari, e cila është shumë afatshkurtër, sepse veprimi për të riparuar defektin është shumë i shpejtë. Është një sistem sensitiv dhe unë nuk njoh një rast që të ketë krijuar për qendrën një problem të ndërprerjes totale të punës. Këto sisteme kanë një burim energjie të dubluar”, shtoi ai.

Në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare janë të pranishëm me shërbim 24 orë përfaqësues të 6 ministrive: të Ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Brendshme, Bujqësisë, Infrastrukturës, Financave dhe Turizmit.

Kjo qendër harton çdo ditë raporte për mbarëvajtjen e punës dhe problemet e vërejtura, tek kryeministri dhe 6 ministritë që kanë punonjës shërbimi në këtë qendër.

Kjo do të thotë se kryeministria dhe 6 ministritë e tjera janë vënë në dijeni për defektet që kanë pësuar radarët në periudha të ndryshme kohore.

Euronews Albania iu drejtua me një e-mail zyrës së NATO-s, e cila thotë se përgjegjëse për monitorimin e vijës bregdetare të çdo vendi anëtar të aleancës, janë autoritetet e këtij vendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat