Qeveria nuk e nxjerr shifrën/ Minimumi jetik, 37 % më i lartë se pagesa e papunësisë

Shqipëria

Qeveria nuk e nxjerr shifrën/ Minimumi jetik, 37 % më i lartë se pagesa e papunësisë

Më: 18 korrik 2021 Në ora: 11:08
Foto ilustrim

Shqipëria është i vetmi vend që nuk e ka të përcaktuar minimumin jetik. Prej disa vitesh nuk ka zyrtarisht një shifër zyrtare se sa llogaritet minimumi jetik, i cili shërben si bazë për ndërtimin e politikave ekonomike e sociale të një qeverie ndaj familjeve në nevojë.

Minimum jetik nuk është gjë tjetër veçse një prag që do të përcaktonte një herë e mirë nivelin e të ardhurave ekonomike që do t’i duhet një familjeje për të jetuar.

Avokati i Popullit prej vitesh i ka kërkuar qeverisë që të realizojë minimum jetik mbi bazën e shportës së shpenzime mesatare të një familjeje, por ajo ka munguar.

Vetë ky institucion ka hartuar një draft-raport të ri ku ka përcaktuar se sa është minimumi jetik në vendin tonë. “Llogaritja e Minimumit Jetik” dhe Raporti i vitit 2021 “Për Minimumin Jetik në Shqipëri” janë dy kontribute të drejtpërdrejta që synojnë plotësimin e këtij boshllëku ligjor që ndikon drejtpërdrejt në garantimin e nivelit bazë të jetesës për mijëra qytetarë shqiptarë në kushte varfërie.

Vlera e përllogaritur në këtë studim e minimumit jetik në Shqipëri për vitin 2019 është përafërsisht 17,875 Lek.

“Kjo vlerë është 9,9 % më e lartë sesa pensioni minimal për zonat urbane, 37,5 % më e lartë se pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më e lartë se ndihma ekonomike, ndërsa është 45,5 % më e ulët sesa paga minimale”, thuhet në një reagim të këtij institucioni.

Avokati i Popullit vlerëson se Minimumi Jetik duhet të sigurojë jetesë dinjitoze me shërbimet bazike dhe duhet t'u mundësojë njerëzve që të marrin pjesë aktive në shoqëri, pavarësisht nga aftësia e tyre për të punuar. Minimumi jetik duhet të bëhet një pjesë kryesore e sistemit kombëtar të mbrojtjes shoqërore dhe shëndetësore. Si i tillë, është e domosdoshme që në formulimin e minimumit jetik, sipas këtij institucioni, të merret në konsideratë dhe të vlerësohet drejt objektivi i sigurimit të ekzistencës së individit në përputhje me dinjitetin njerëzor të parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj, në mënyrë të tillë që individit, përpos një jete dinjitoze, t’i mundësohet aksesi minimal në jetën kulturore, sociale dhe politike.

Draft-raporti u paraqit gjatë një takimi të institucionit të Avokatit të Popullit në bashkëpunim me zyrën e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (PNUD) në Shqipëri, prezantoi Draft-Raportin “Për Minimumin Jetik në Shqipëri” i cili është tashmë i hapur për konsultim publik e më pas do t’i dorëzohet Kuvendit të Shqipërisë.

Niveli më i ulët i minimumit jetik në BE është ai i Rumanisë me 193 EUR për frymë. Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria kanë një konvergjencë të ulët me BE sa i përket minimumit jetik, si në legjislacion ashtu dhe në mbulim financiar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat