A ka hyrë Delta në Has? Dyshime se pacienti 0 erdhi nga Anglia

Shqipëria

A ka hyrë Delta në Has? Dyshime se pacienti 0 erdhi nga Anglia

Më: 24 korrik 2021 Në ora: 18:57
Foto ilustrim

Qarku i Kukësit është i treti më i prekur nga Covid në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë të shtunën, në këtë qark janë 25 raste aktive. Qarqet e tjera që kanë më shumë raste janë Tirana me 103 raste dhe Vlora me Elbasanin me nga 26 raste.

Si shpjegohet kjo vatër në Kukës? Burime të gazetës Shqip pohojnë se nga 25 rastet e Qarkut të Kukësit, 23 prej tyre janë të regjistruara vetëm në rrethin e Hasit dhe ka dyshime të forta se vatra e Covid-t që ka shpërthyer në këtë qytet është shkaktuar nga varianti Delta.

Burimet thonë se pacienti 0 në Has dyshohet të jetë një i ri i kthyer në Shqipëri nga Britania e Madhe në dhjetë ditët e fundit të muajit qershor, kohë kur kurba e infeksioneve me variantin Delta të Covid në Angli mori hovin më të madh.

Zyrtarisht autoritetet nuk ende nuk e konfirmojnë praninë e këtij varianti në Shqipëri, ndërsa jozyrtarisht burimet e gazetës Shqip pohojnë se deklaratat e ditëve të fundit nga Instituti i Shëndetit Publike dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë që lënë të hapur mundësinë e hyrjes së këtij varianti në vendin tonë u referohen pikërisht rasteve të Hasit.

Burimet thonë se mes mostrave që ISHP ka dërguar në laboratorin e referencës në Berlin janë edhe mostra të pacientëve të regjistruar pozitivë në Has, por që përgjigja për to ende nuk ka mbërritur, ndaj deri në përgjigjen e Berlinit, Delta në Shqipëri vijon të mbetet zyrtarisht jashtë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat