Prokurorët harrojnë afatet, lirohet nga qelia “Niçja” i përgjimeve për votimet dhe heroinën e Hasit

Shqipëria

Prokurorët harrojnë afatet, lirohet nga qelia “Niçja” i përgjimeve për votimet dhe heroinën e Hasit

Më: 27 korrik 2021 Në ora: 08:18
Ilustrim

Kanë përfunduar afatet e paraburgimit për Astrit Avdylaj e njohur ndryshe në përgjimet e prokurorisë si “Niçja”, njeriun nga Shijaku të arrestuar për trafik heroine gjatë operacionit “Vol-Vo” të kryer në shtator të vitit 2018.

Prokurorët e çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, kanë “harruar” në burg tre personat e proceduar për heroinën e kapur në Has gjatë vitit 2018.

Dhe nisur nga kjo situatë, njeriu kryesor për trafikun e heroinës dhe njeriu kryesor që bëri lëmsh zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në qarkun e Durrësit, Astrit Avdylaj, tashmë është liruar nga burgu.

Vendimi për lirimin e Astrit Avdylaj është dhënë nga Gjykata e Posaçme, pasi treshja gjykuese, Iirjana Olldashi, Sokol Pine dhe Erion Bani, kanë konstatuar se Avdylajt i kanë përfunduar afatet e paraburgimit.

Bashkë me Altin Avdylaj, nga qelia kanë dalë dhe dy persona të tjerë, bashkëpuntorë të tij, Jasin Kala dhe Fatos Llavdiu të akuzuar për trafik narkotikësh kryer në bashkëpunim në kuadër të organizatës kriminale.

Dy prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, kishin më shumë se dy muaj që mbanin në burg dy personat pa vendim gjykate, pasi atyre u kishte përfunduar afati i paraburgimit të qëndrimit në qeli.

Ora News mëson se tre personat e mësipërm nuk kanë pranuar akuzat, dhe kanë kërkuar gjykim të zakonshëm, pasi nuk janë pajtuar me dosjen e prokurorisë.

Ndërsa personat e tjerë që pranuan gjykim të shkurtuar për çështjen "339", tashmë janë dënuar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe çështja ndaj tyre i ka kaluar për gjykim Gjykatës së Apelit të Posaçëm.

Avdylaj së bashku me dy personat e tjerë është liruar në masën e sigurisë “arrest në shtëpie”, duke bërë që ai të qëndrojë në shtëpinë e tij, nën mbikqyrjen e vazhdueshme të policisë së këtij qarku.

Tashmë njeriu që vinte në rresht të gjithë administratën shtetërore të Durrësit, do ti duhet të ruhet çdo ditë, pikërisht nga punonjësit e policisë së Durrësit.

Pritet që në ditët në vijim, dy prokurorët Mara dhe Prençi të apelojnë vendimin e shkallës së parë, por situatës ku ndodhet çështja ka shumë pak shpresa që tre personat e liruar të rikthehen sërisht në burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat