U dënua me 25 vite burg për vrasjen e biznesmenit, lirohet nga burgu 46-vjeçari

Shqipëria

U dënua me 25 vite burg për vrasjen e biznesmenit, lirohet nga burgu 46-vjeçari

Më: 6 gusht 2021 Në ora: 23:05
Foto ilustrim

Gjykata e Tiranës ka liruar nga burgu dhe ka dërguar në arrest shtëpie Denis Demirin i dënuar më herët me 25 vite burgim për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla. Gazetarja Klodiana Lala raportoi se Demiri do të qëndrojë nën mbikëqyrje policore.

Vendimi për ndryshimin e masës vjen pasi Apeli e ktheu dosjen për rigjykim në Shkallë të Parë për shkelje procedurale. Avokati Sokol Tahiraj iu drejtua gjykatës me kërkesën për shuarje mase për Demirin pasi i kanë skaduar afatet tërësore të paraburgimit.

Denis Demiri është dënuar me 25 vjet burg për vrasje me paramendim në Shkallë të Parë. Sipas të dhënave në dosje rezultonte nga pamjet e kamerave të sigurisë se është gjendur në praninë e Ardian Serezit dhe personave të tjerë dhe prokuroria tha se përmes këtyre pamjeve filmike dhe qelizave telefonike se Demiri ishte përgjegjës për vrasjen e biznesmenit Begalla.

Ndërsa Serezi arriti t’ia hidhte drejtësisë në Shkallën e Parë duke treguar një video ku shfaqej në një xhami në zonën e Kombinatit duke u falur në kohën e vrasjes. Duke pasur problematika sa i përket provave në rastin e Serezit, gjykata vendosi ta kthejë dosjen në prokurori dhe jo ta pushojë çështjen dhe në këto kushte ai fitoi lirinë.

Gjykata e Apelit të Tiranës ka prishur vendimin e Gjykatë së Shkallës së Parë dhe ka vendosur të kthejë për rigjykim dosjen ndaj dy të pandehurve të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla në vitin 2018 në zonën e ish-Bllokut.
Për këtë argument Apeli urdhëron Shkallën e Parë të rigjykojë çështje në muajin shtator, me një tjetër trupë gjykuese të paanshme dhe profesionale.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat